LAJMI I FUNDIT:

Rusia bllokon SoundCloud duke përmendur përhapjen e ‘informacioneve të rreme’

Rusia bllokon SoundCloud duke përmendur përhapjen e ‘informacioneve të rreme’

Rusia ka kufizuar qasjen në aplikacionin e muzikës SoundCloud, duke përmendur “informacionet e rreme” për atë që Moska e quan një “operacion special ushtarak” në Ukrainë, sugjerojnë raportet.

Moska ka “luftuar” kompanitë e mëdha teknologjike në mënyrë që të kontrollojë rrjedhjen e informacioneve pas dërgimit të trupave ushtarake në Ukrainë në shkurt të këtij viti, duke ngadalësuar shërbimet e Twitter, dhe duke ndaluar Facebook-un dhe Instagram-in.


Duke cituar mbikëqyrësin e komunikimeve, Roskomnadzor, agjencia e lajmeve Interfax raportoi: “Roskomnadzor ka kufizuar qasjen në shërbimet e SoundCloud në lidhje me vendosjen e materialeve që përmbajnë informacione të rreme në lidhje me natyrën e operacionit special ushtarak në territorin e Ukrainës”, transmeton Telegrafi.

Ata thanë se qasja në këtë shërbim u bllokua me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm Rus, duke shtuar se informacioni në fjalë kishte të bënte me formën dhe metodat e luftës së operacionit special, duke përfshirë edhe “sulmet ndaj civilëve, sulme ndaj infrastrukturës civile, dhe informacione në lidhje me numrin e viktimave të shumta civile nga duart e ushtarëve rus”. /Telegrafi/