LAJMI I FUNDIT:

Euractiv: Shqipëria-bazë e NATO-s, nuk u sulmua vetëm për MEK!

Euractiv: Shqipëria-bazë e NATO-s, nuk u sulmua vetëm për MEK!

Autoritetet shqiptare frenuan një sulm të dytë kibernetik gjatë fundjavës pasi Tirana, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara ndërpreu të gjitha marrëdhëniet diplomatike me Teheranin, të cilin e fajëson për “sabotazh”.

E gjithë kjo, thotë portal i njohur i Brukselit, Euractiv, në kohën kur shpresat për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të 2015 me regjimin e ajatollahëve vazhdojnë të zbehen pasi vendet kryesore europiane po shprehin  “dyshime serioze” për qëllimet e tij.

Sulmi i fundit në Shqipëri vjen vetëm disa ditë pasi kryeministri Edi Rama akuzoi Iranin se qëndron pas një sulmi kibernetik të 15 korrikut që solli jashtë funksionit  të gjitha faqet e internetit të qeverisë dhe shërbimet dixhitale të qytetarëve dhe u përshkrua nga Microsoft si “shkatërrues”.


Ai urdhëroi diplomatët iranianë të largoheshin nga vendi brenda 24 orëve, duke ndërprerë të gjitha marrëdhëniet diplomatike me efekt të menjëhershëm. Në sulmin e fundit, ata që tentonin të përdornin sistemin TIMS, i cili regjistron çdo person që hyn dhe del jashtë vendit, u përballën me një mesazh ku thuhej: “Shqipëria ende po paguan për aktet terroriste të kultit MEK në Durrës; kjo lojë do të vazhdojë.”

Disa analistë megjithatë, vazhdon Euractiv, mendojnë se fakti që strehon që prej 20126-tës organizatën e  Muxhahedinëve të Popullit të Iranit, nuk është arsyeja e vetme përse Shqipëria ka përjetuar sulme të tilla.

Ata mendojnë se kjo ndodh edhe për faktin që vendi është shumë pro-amerikane, është aleat i NATO-s, shtëpi e një baze ajrore të saj e potencialisht, në të ardhmen, edhe e një bazeje detare të aleancës veri-atlantike. Sulme dixhitale kanë përjetuar këto ditët e fundit edhe Kosova e Maqedonia e Veriut, por ende nuk dihet se kush qëndron pas tyre./Top Channel