LAJMI I FUNDIT:

24-vjetori i vrasjes së Azem Hajdarit, Berisha: Frymëzim për t’u ngritur fuqishëm në protesta

24-vjetori i vrasjes së Azem Hajdarit, Berisha: Frymëzim për t’u ngritur fuqishëm në protesta

Përfaqësues të Partisë Demokratike  së bashku me familjen e Azem Hajdarit kanë kujtuar sot me një ceremoni 24-vjetorin e vrasjes së tij.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha u shpreh sot se “vepra e Azem Hajdarit është një frymëzim i madh për shqiptarët, për t’u ngritur fuqishëm në protesta”.

Në një prononcim për medie pas ceremonisë përkujtimore për “Heroin e Demokracisë Azem Hajdari”, Berisha tha se “përulemi me nderimin më të madh dhe mirënjohjen më të pakufishme, ndaj veprës së tribunit legjendar të shqiptarëve, Azem Hajdari”.


“Sot, Azem Hajdari me mesazhin e tij është më i gjallë se kurrë. Sot, ne vendosëm ato kurora aty ku ranë Azem Hajdari dhe sivëllai i tij Besim Çera, për t’i nderuar ata, por i vendosëm në kushtet e një monizmi të plotë”, tha ai.

Në këtë kontekst, sipas Berishës, “vepra e Azem Hajdarit është një frymëzim i madh për shqiptarët, për t’u ngritur fuqishëm në protesta dhe demonstrata dhe për të rrëzuar këtë regjim”.

“Ky regjim qëndron mbi votën e vjedhur, mbi votën e rrëmbyer të shqiptarëve, qëndron mbi lidhjet e tmerrshme me krimin dhe drogën, qëndron mbi varfërimin e frikshëm progresiv të shqiptarëve, qëndron si një vasal i Beogradit, qëndron si një antishqiptar i vërtetë, si një armik i egër i lirive, të drejtave, qenies, identitetit të Shqipërisë dhe kombit shqiptar”, tha Berisha. /Telegrafi/