LAJMI I FUNDIT:

Meta dorëzon kallëzimin për anëtarët e Autoritetit të Dosjeve

Meta dorëzon kallëzimin për anëtarët e Autoritetit të Dosjeve

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dorëzuar kallëzimin e paralajmëruar ndaj Autoritetit të Dosjeve, të cilin e akuzon zyrtarisht për gjashtë vepra penale.

Në një njoftim në Facebook, Meta tha se ka kallëzuar penalisht anëtarët e Autoritetit të Dosjeve për shkeljet e rënda dhe të qëllimshme që i kanë bërë ligjit organik për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit.


“Sot kam kallëzuar penalisht anëtarët e Autoritetit të Dosjeve për shkeljet e rënda dhe të qëllimshme që i kanë bërë ligjit organik për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, për manipulimet dhe falsifikimet flagrante në shërbim të shantazhit politik, për llogari të Edi Ramës. Për më shumë detaje, do të zhvilloj një konferencë shtypi në funksion të transparencës para të gjithë qytetarëve shqiptarë”, tha Meta në një postim në Facebook.

Ish-presidenti Meta është politikani i lartë me inicialet I.M që figuron në dosjet e Sigurimit të Shtetit.

Autoriteti i Dosjeve e përmend atë me emër dhe mbiemër në dokumentin që i drejtoi Kuvendit ku i kërkon gjithashtu të ndryshojë ligjin, pasi sipas tij nuk mund të verifikohen figurat politike.

Meta si politikan i hershëm, ka certifikatë pastërtie, por nëse do të verifikohej prapë, thuhet në dokumentin drejtuar kuvendit, rezultati do të ishte ndryshe. Vetë ish-presidenti e quan këtë një lojë të motivuar politikisht. /Telegrafi/