LAJMI I FUNDIT:

Maqedoni: Gjuajtjet me armë zjarri nëpër dasma po bëhen gjithnjë e më shqetësuese

Maqedoni: Gjuajtjet me armë zjarri nëpër dasma po bëhen gjithnjë e më shqetësuese
Foto: Ilustrim

Këtë verë, nuk kishte shtëpi e restorant pa ndonjë dasmë ose aheng tjetër familjar. Përveç muzikës e vallëzimit thuajse të gjitha ahengjet u shoqëruan me gjuajtje nga armë zjarri ose fishekzjarrë.

“Në plumb ka përfunduar në oborrin e një shtëpie ku në ato momente po pushonin të rritur e fëmijë. Në këtë rast, plumbi nuk kishte pasoja fatale por ishte I mjaftueshëm për të lënë pasoja të frikës dhe trishtimit për anëtarët e kësaj familje”.

Qytetarët thanë se gjuajtjet në ahengje familjare duhet anashkaluar, posaçërisht në zonat ku ka dendësi më të madhe të popullsisë.


“Shumë raste përfundojnë me vdekje ose plagosje. Aspak nuk duhet të gjuhet, jo vetëm me armë por edhe me mjete piroteknike”, tha një qytetar.

“Këtu jetoj, vazhdimisht rreth orës 24 ka gjuajtje. Jo vetëm fishekzjarri por edhe me armë zjarri”, tha një tjetër.

“Nuk është në rregull. Përse të gjuash, për çka? Nëse gjuan ndodhë diçka, ose plagoset dikush ose përfundon në ndonjë shtëpi. Gëzimin e bëjnë të tjerët, ka daulle, ka muzikë, ka këngëtarë. S’ka nevojë, përse të gjuash”, shtoi një qytetar tjetër.

“Duhet ta largojmë atë shprehi se nuk është vendi këtu. Tjera herë kanë përdor nëpër male, malësi, krejt në rregull. Por, tani njerëzit duhet ta kuptojnë se jetojmë me një vend ku popullsia është e shpeshtë dhe mund të kemi pasoja shumë të rënda, patjetër të ndalet”, deklaroi një qytetar.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thanë për Alsat se nuk kanë numër të saktë të këtyre rasteve. Ato që tashmë janë paraqitur kanë të bëjnë me plagosje dhe dëme materiale nga plumbat qorre.

“Vendi i armës nuk është në raste të tilla, aty jemi të rrethuar me më të afërmit. Përse ta vëmë në rrezik jetën tonë dhe më të afërmve, pavarësisht se janë familjar ose jo. Përdorimi i armës së zjarrit është në kundërshtim me ligjin për prishje të rendit dhe qetësisë ndërsa gjoba në para për këtë shkelje në bazë të nenit 31 sillet nga 200 deri në 500 euro. Megjithatë, varësisht pasojave mund të kualifikohet si vepër penale në bazë të ligjit përkatës dhe nenit 288 parashihet dënim me burg prej një deri në pesë vjet” deklaroi Suzana Pranjiç nga MPB.

Gjithashtu, nga MPB-ja kujtojnë qytetarët se përveç gjuajtjes me armë zjarri është e ndaluar edhe gjuajtja e mjeteve piroteknike./Alsat/