Bleonë Krasniqi, e cila është pjesë e stafit mbështetës të infermierëve të angazhuar gjatë pandemisë Covid-19, ka folur për moszbatimin e pagës nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, ajo ka thënë se kjo nuk është hera e parë që kjo kategori e punëtorëve nuk marrin paga.
E ftuar në RTV Dukagjini, ajo e ka komentuar protestën e mbajtur të mërkurën, për të cilën tha se ishte mjet që pa dëshirën e tyre është përdorur.
Ajo ka deklaruar se kërkesat e tyre disa herë i kanë adresuar në organet e MSH-së, por asnjëherë ky institucion nuk ka pasur përgjigje konkrete.
“Nuk është hera e parë që nga MSH-ja mbesim pa paga, por edhe në të kaluarën kemi qenë dy muaj pa paga, kurse tash gati tre muaj. Ne kemi adresuar kërkesat tona dhje shqetësimet përmes emaileve, kryesisht me Naim Bradiqin, por s’kemi pasur përgjigje konkrete, dhe s’kemi pasur kompromis që të na dalin pagat dhe të na paguhet mundi që kemi bërë gjatë pandemisë Covid-19”, ka deklaruar Krasniqi.
Kërkesë tjetër e infermierëve sipas Krasniqit është edhe vazhdimi i kontratave të tyre të cilat skadojnë më 15 qershor të këtij viti, sipas saj në Kosovë ka mungesë të infermierëve.
Në kohën kur Kosova përballej me një fluks të lartë të infektimeve dhe vdekjeve si pasojë e virusit Covid-19, Ministria e Shëndetësisë (MSH) kishte marrë vendim që t’i rekrutojë si staf mbështetës rreth 840 infermierë, me qëllim që “lufta” ndaj këtij virusi të ishte më e lehtë.
Thirrjes për aplikim iu përgjigjën menjëherë mijëra infermierë nga i gjithë vendi, të cilët siç edhe thuhej nga vetë zyrtarët e MSH-së, filluan të punonin në “vijën e parë të frontit”, në qendra të vaksinimit, në të gjitha qytetet e Kosovës.
Tash kur rastet e vdekjes dhe infektimeve kanë rënë, kjo kategori nuk po vlerësohet si duhet. Stafi mbështetës i infermierëve, që kanë ende kontrata të vlefshme, të cilat u skadojnë më 15 e qershor të këtij viti, ka gati tre muaj që nuk po marrin pagë edhe pse një gjë e tillë u takon nga kontratat e tyre valide.