LAJMI I FUNDIT:

Parlamenti Evropian miraton rezolutën për Shqipërinë, pritet vendimi i Këshillit të BE-së për hapjen e negociatave

Parlamenti Evropian miraton rezolutën për Shqipërinë, pritet vendimi i Këshillit të BE-së për hapjen e negociatave

Parlamenti Evropian ka miratuar sot rezolutën për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, njoftoi raportuesja për Shqipërinë, eurodeputetja Isabel Santos.

Në një postim në Twitter, Santos ka publikuar tabelën e votimit, ku kanë votuar pro 519 deputetë nga 599 deputetë.


Santos theksoi se është koha për të kaluar në negociata të Shqipërisë me BE-në.

“Raporti im për procesin e aderimit të Shqipërisë në BE sapo u miratua nga seanca plenare e PE me shumicë dërrmuese. Evropa nuk mund të zhgënjejë popullin shqiptar dhe një vend që është përpjekur të zbatojë të gjitha hapat e nevojshëm për pranimin. Koha për të kaluar në negociata formale”, shkroi Santos.

Santos gjatë seancës plenare të PE-së prezantoi gjetjet në lidhje me ecurinë e vendit në lidhje me procesin e integrimit dhe apeloi për mbajtjen e menjëhershme të Konferencës së Parë Ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe BE-së brenda Presidencës Franceze të Këshillit Evropian.

Edhe përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Didier Reynders , theksoi vendosmërinë në plotësimin e kushteve nga ana e Shqipërisë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, dhe kërkoi mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë sa më parë.

Në një njoftim për shtyp, parlamenti i kërkon Këshillit të hapë negociatat për anëtarësimin në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në kontekstin gjeostrategjik të luftës në Ukrainë. /Telegrafi/