LAJMI I FUNDIT:

Bullgaria negocion pavarësinë nga gazi rus

Bullgaria negocion pavarësinë nga gazi rus

Bullgaria do të jetë e pavarur nga furnizimet me gaz rus dhe e vetmja çështje që duhet zgjidhur përpara nënshkrimit të kontratës për furnizime alternative është çmimi, ka theksuar deputeti dhe nënkryetari i Komisionit për Energji, Ivaylo Mirchev.

Aktualisht, Bullgaria është një nga vendet evropiane më të varura nga furnizimet me gaz rus, me gati 90 për qind.

Projekti i gazit me Greqinë pritet të vihet në funksion pas muajit korrik. Nëpërmjet tij, Bullgaria do të marrë sasi të mjaftueshme gazi nga Azerbajxhani për të plotësuar nevojat e saj të brendshme.


“Edhe nëse Rusia ndalon furnizimin me gaz për Bullgarinë, tashmë janë ofruar mënyra alternative të furnizimit me gaz dhe rrugët janë të qarta. Për momentin problemi i vetëm është çmimi. Për më tepër, Bullgaria do të bëhet një vend që do të mbështesë furnizimin me gaz natyror në Evropën Perëndimore”, tha Mirchev.

“Shpresoj se me veprimet e përbashkëta të Bashkimit Evropian deri në fund të vitit do të arrijmë çmime të mira dhe kjo çështje do të zgjidhet. Në këtë drejtim, qeveria po bën punën e saj”, shtoi ai.

Mirchev njoftoi se Qeveria së shpejti do të shpallë një paketë gjithëpërfshirëse të masave ekonomike për të luftuar inflacionin dhe çmimet e larta. Këto masa do të ndihmojnë njerëzit që nuk mund të paguajnë faturat e energjisë elektrike dhe ngrohjes. /Telegrafi/