LAJMI I FUNDIT:

Dëgjohet eksperti i analizave biologjike dhe të ADN-së në rigjykimin ndaj të akuzuarit për vrasje të rëndë në veri të Mitrovicës

Dëgjohet eksperti i analizave biologjike dhe të ADN-së në rigjykimin ndaj të akuzuarit për vrasje të rëndë në veri të Mitrovicës

Në çështjen gjyqësore ndaj Miqa Urosheviq, i akuzuar për vrasje dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, të hënën në Gjykatën Themelore në Mitrovicë u dëgjua eksperti i analizave biologjike nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, Bashkim Mustafa, si dhe u administruan disa prova.

Në seancën paraprake kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Bekim Veliqi bëri të ditur se me datë 21 janar 2022 ka pranuar nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë raportin AKF/2021-1968/2021-1867 të datës 08 dhjetor 2021 mbi analizën e ADN-së, ekzaminimin e dëshmive R#1, D#11 dhe D#16, mbi mbetjet e njollave të gjakut – përkatësisht profili i ndonjë AND-je, si dhe Raportin mbi gjurmët e vijave papilare nga dëshmia D#13 AKF/2021- 1968/2021-1853 e datës 19 janar 2022.

Në lidhje me këto raporte mbrojtësi i të akuzuarit Urosheviq, avokati Xhelal Hasani, i angazhuar sipas detyrës zyrtare kishte pasur vërejtje dhe i kishte propozouar gjykatës që në seancën e ardhshme të ftohen ekspertët përkatës dhe të japin sqarime lidhur me konstatimet përkatëse.


Ky propozim ishte pranua nga trupi gjykues dhe seanca ishte shtyrë për diten e sotme, duke ftuar ekspertin e analizave biologjike nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, Bashkim Mustafën, i cili prezantoi sot në seancë.

Në seancë përveç të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij dhe ekspertit të ftuar, prezentë ishin edhe prokurorja Fetije Bajrami dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Dejan Vasiq.

Procedura fillimisht vazhdoi me dhënien e konstatimit dhe mendimit nga ana e ekspertit Mustafa, i cili u njoftua me të drejtat e tij gjatë sqarimit të ekspertizës në cilësinë e ekspertit.

Duke qenë se mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Hasani kishte propozuar që të dëgjohej eksperti, i njëjti u ftua që fillimisht t’i parashtroj pyetje ekspertit.

Mbrojtësi Hasani e kishte të paqartë pjesën e konstatimit se “në predhë nuk janë gjetur gjurmë gjaku, e as sasi të mjaftueshme të ADN-së”, konstatim të cilin kërkoi që t’ia shtjellonte eksperti.

“Sa i përket predhës R#1, në momentin kur ne nuk gjejmë ndonjë gjurmë gjaku, atëherë në marrim mostrën për ADN, nga ndonjë mostër tjetër biologjike që mund të ketë mbetur në atë dëshmi. Në rastin konkret kemi marrë mostrën mirëpo nuk kemi arritur të fitojmë ndonjë profil të ADN-së, për shkak të sasisë shumë të vogël të ADN-së në atë dëshmi”, konstatoi eksperti Mustafa.

Tutje, mbrojtësi kërkoi sqarim të mëtejshëm në lidhje më konstatimin, nëse ka pasur sasi të pamjaftueshme të gjakut që është gjetur apo sasi të pamjaftueshme të ADN-së, ndërsa eksperti ritheksoi se sikurse është cekur në raport, në predhë nuk është gjetur gjak, ndërsa si mostër ka qenë e pamjaftueshme sasia e ADN-së në atë dëshmi, konkretisht në dëshminë R#1.

Eksperti gjatë konstatimit të tij shtoi se, “për shkak se në këtë dëshmi nuk është gjetur gjak, është marrë mostër për ADN nga një material tjetër biologjik, por për shkak të sasisë së pamjaftueshme të ADN-së, nuk kemi mundur që të nxjerrim ndonjë profil të ADN-së.”

Derisa mbrojtësi i të akuzuarit mbaroi me marrjen në pyetje të ekspertit, palët tjera në procedurë deklaruan se nuk kanë pyetje për të njëjtin.

Me largimin e ekspertit nga salla, procedura vijoi me administrimin e provave.

U lexua raporti mbi rikonsturimin e vendit të ngjarjes të datës 15 Korrik 2021, nga Eksperti Mjeko-Ligjor Dr.Arsim Gërxhaliu nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, raport për të cilin mbrojtësi deklaroi se mbetet pranë vërejtjeve që I ka theksuar në seancën paraprake, ndërsa prokurorja Fetije Bajrami konstatoi se nuk ka vërejtje për të njëjtën.

Tutje, vështrimi i CD-së nga rikonstruimi i vendit të ngjarjes të datës 15 korrik 2021 nga Policia e Kosovës, leximi i raportit AKF/2021-1968/2021-1867 të datës 8 Dhjetor 2021, mbi analizën e ADN-së – ekzaminimi i dëshmive R#1, D#11 dhe D#16 nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, për të njëjtat palët nuk patën vërejtje.

Po ashtu u lexuan edhe provat, raporti AKF/2021-1968/2021-1853 i datës 19 janar 2022, mbi gjurmët e vijave papilare nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, raporti AKF/2021-1968/2021-1863 i datës 7 Shkurt 2022 nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, lidhur me ekzaminimin balistik të dëshmisë R#1 dhe rikonstruimit të vendit të ngjarjes së bashku me fotoalbumin me gjithsej 7 faqe të formatit A4 me 14 fotografi, për të njëjtat palët nuk patën vërejtje.

Tutje, mbrojtësi i të pandehurit Urosheviq, propozoi që të caktohet një super ekspertizë mjeko-ligjore, pasiqë mbrojtja ka vërejtje në lidhje më ekspertizën e ekspertit mjeko-ligjor, Arsim Gërxhaliut, i cili ka përpiluar një raport me shkrim për vendin e ngjarjes, dhe mbrojtja konsideron se ky konstatim është në kundërthënie me provat që janë gjetur në vendin e ngjarjes dhe me dëshminë e dëshmitarit Emri Muranoviq, i cili ka banuar në një shtëpi në afërsi të vendit të ngjarjes.

Prokurorja Bajrami e kundërshtoi propozimin e mbrojtësit për caktimin e super ekspertizës sepse sipas tij, ekspertiza e ekspertit mjeko-ligjor, Arsim Gerxhaliu, është arsyetuar mjaftueshëm.

Tutje, trupi gjykues mori vendim për refuzimin e propozimit për caktimin e super ekspertizës mjeko-ligjore, si të pabazuar, pasi që në rastin konkret gjykata ka caktuar që të bëhet rikonstruimi i vendit të ngjarjes e që është realizuar me datë 15 korrik 2021 dhe pjesë e rikonstruimit ka qenë edhe eksperti mjeko-ligjor, së bashku me ekspertët e balistikës, dhe në këtë rast gjykata nuk ka caktuar ekspertizë të vetme mjeko-ligjore dhe mendimi i eksperteve është dhënë në bazë të gjetjeve nga rikonstruimi i vendit të ngjarjes.

Në raport me të dëmtuarin është kryer autopsia në fazën e shqyrtimit paraprak, ndërsa lidhur me çështjen e vlerësimit të konstatimit dhe mendimit të dhënë nga ekspertët në vendin e ngjarjes, trupi gjykues do t’i vlerësoj në lidhshmëri edhe me provat e tjera materiale të administruara në këtë çështje.

Me përfundimin e procedurës së provave, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Veliqi vazhdoi me marrjen në pyetje të të pandehurit, Miqa Urosheviq.

Ky i fundit deklaroi se mbetet pranë deklarimeve të dhëna më herët gjatë paraqitjes së mbrojtjes së tij, dhe shtoi se i vjen keq për rastin që ka ndodhur, shprehu ngushëllime për familjen e të ndjerit D.S, dhe theksoi se gjendja kishte ardhur deri në atë pikë pasi që i ndjeri e kishte kanosur me vrasje fillimisht.

Ndërsa prokurori dhe mbrojtësi nuk patën pyetje për të pandehurin.

Tutje, seanca e sotme vazhdoi me paraqitjen e fjalëve përfundimtare nga ana e palëve.

Prokurorja dhe mbrojtësi i të akuzuarit konstatuan se iu nevojitet kohë për të përgatitur fjalën përfundimtare, për të paraqitur vlerësimet e tyre në lidhje me çështjen, për shkak të shkresave të shumta të lëndës dhe për shkak të seriozitetit të çështjes. Të njëjtit deklaruan se fjalën përfundimtare do ta përgatitin dhe paraqesin me shkrim.

Kështu, trupi gjykues pas marrjes së këtyre propozimeve, i aprovoi të njëjtat dhe u caktua data 23 shkurt 2022 për vazhdimin e seancës së shqyrtimit gjyqësor.

Ndryshe, më 6 shtator 2019, i akuzuari Urosheviq ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Mitrovicës dhe ishte dënuar me 20 vite burgim.

Për veprën penale të vrasjes, gjykata i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 15 vitesh, për armëmbajtje pa leje ishte dënuar me tre vjet burg, kurse për legalizim të përmbajtjes së rreme ishte dënuar me tre vjet burg.

Për të tri veprat penale, gjykata i kishte shqiptuar dënimin unik në kohëzgjatje prej 20 vjetësh burgim, si dhe i ishte konfiskuar arma me të cilën është kryer vepra penale.

Mirëpo, pas ankesës së mbrojtësit, avokatit Xhelal Hasani, Gjykata e Apelit, me vendimin e 27 dhjetorit 2019, e vërteton aktgjykimin dënues për veprën penale të “Legalizimit të përmbajtjes së rreme”, mirëpo ndryshon dënimin nga 3 vite sa kishte shqiptuar shkalla e parë, në 2 vite burgim. Kurse, për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe atë të armëmbajtjes pa leje, e kthen rastin në rigjykim dhe rivendosje.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 12 tetor 2018, Miqa Urosheviq akuzohet se më 27 dhjetor 2017, në veri të Mitrovicës, me dashje ka privuar nga jeta të dëmtuarin, tani të ndjerin D.S

Bazuar në aktakuzë, vrasja është kryer në atë mënyrë që pas një fjalosje, i akuzuari Urosheviq, i pajisur me armë në të cilën ka pasur pesë fishekë, ka shtënë pesë herë në tani të ndjerin D.S, i cili nga predhat është goditur katër herë në trup, duke pësuar plagë të rënda trupore nga të cilat ka mbetur i vdekur.

Në pikën e dytë të dispozitivit, i akuzuari Urosheviq ngarkohet për kryerjen e veprës penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër ku kryesi dënohet me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet.

Ndërkaq, në pikën tretë të aktakuzës, ai akuzohej se më 26 gusht 2014, ka vënë në lajthim personin zyrtar, Hamdi Ademi, zëvendës/koordinator në zyrën administrative në Lagjen e Boshnjakëve, ashtu që për t’u pajisur me letërnjoftim ka prezantuar ekstraktin e lindjes në emër të Darko Peroviq, me shënime ekzakte si në ekstraktin e lindjes të lëshuar më 25 maj 2014 nga zyra e gjendjes civile në Zubin Potok, ku më pas është fotografuar dhe i është lëshuar letërnjoftimi i Republikës së Kosovës në emër të Darko Peroviq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme” nga neni 403, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me burgim prej tre muaj deri në pesë vjet.

Përveç kësaj, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë thuhet se i akuzuari Miqa Urosheviq më parë ka qenë i gjykuar në Republikën e Serbisë, në Gjykatën e Lartë në Nish, për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë” nga neni 114 të Kodit Penal të KPS-së dhe “prodhim i palejuar, mbajtje, posedim i armëve dhe materieve eksplozive” nga neni 348 të Kodit Penal të KPS-së, ku thuhet se është dënuar me 20 vjet burgim.

Në trend Lajme

Më shumë
Vrasja e Erona Coklit në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj – ngritet aktakuzë ndaj Valon Aliut

Vrasja e Erona Coklit në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj – ngritet aktakuzë ndaj Valon Aliut

Drejtësi
Simbolet serbe në objektin e ish-komunës paralele në veri, zëvendësohen me ato të Kosovës

Simbolet serbe në objektin e ish-komunës paralele në veri, zëvendësohen me ato të Kosovës

Lajme
Djali i Afrim Bunjakut i prin marshit për 25 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës

Djali i Afrim Bunjakut i prin marshit për 25 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës

Lajme
Zëvendësministri Dobra, Haradinajt: Dezinformimi është i dëmshëm për shëndetin, në FSK nuk ka më pagë 400 euro

Zëvendësministri Dobra, Haradinajt: Dezinformimi është i dëmshëm për shëndetin, në FSK nuk ka më pagë 400 euro

Lajme
Çanak tregon se ku i morën informacionet që Beogradi po përgatit zhvendosjen e serbëve nga veriu i Kosovës në Sanxhak

Çanak tregon se ku i morën informacionet që Beogradi po përgatit zhvendosjen e serbëve nga veriu i Kosovës në Sanxhak

Lajme
Fried: Qeveria e Kosovës po e bën Beogradin të duket si palë e dëmtuar

Fried: Qeveria e Kosovës po e bën Beogradin të duket si palë e dëmtuar

Lajme
Kalo në kategori