LAJMI I FUNDIT:

Postimi i fundit i Senatorit Bob Dole në Twitter ishte për Kosovën

Postimi i fundit i Senatorit Bob Dole në Twitter ishte për Kosovën

Ka vdekur në moshën 98-vjeçare ish-senatori amerikan, miku i madh i shqiptarëve Bob Dole. 

Në vitin 1990, Bob Dole udhëhequr një delegacion të SHBA-së në Kosovë, ndërsa në gusht të vitit 2020, për nder të angazhimit të tij për Kosovën, busti i tij është ​vendosur në Prishtinë.


Në atë kohë, përmes një video-mesazhi, Dole ka shprehur mirënjohjen për inaugurimin e bustit.

“Më vjen keq që nuk mund të jem me ju në inaugurimin e bustit, më kujton kohën e para 30 vjetëve. Tridhjetë vjet kemi punuar për të krijuar një shtet të fortë dhe shpresoj se do të vazhdoni të punoni për t’u bërë edhe më të fortë”, ka thënë Dole.

Në një postim në Twitter, më 30 gusht të vitit 2020, Dole ka shkruar:

“Tridhjetë vjet më parë, unë dhe kolegët e mi kemi udhëtuar për herë të parë në Prishtinë. Askush nga ne nuk mund ta dinte se ky do të ishte fillimi i një rrugëtimi drejt pavarësisë për popullin e Kosovës”.

Më 30 nëntor, Dole ka bërë postimin e fundit në Twitter për Kosovën, duke paralajmëruar një program të Institutit Dole për historinë e Kosovës.

“Zoti e bekoftë Amerikën dhe Zoti e bekoftë Kosovën”, ka shkruar Dole.