LAJMI I FUNDIT:

Shqipëri, bie me 40 përqind vaksinimi në tetor

Shqipëri, bie me 40 përqind vaksinimi në tetor

Në Shqipëri, procesi i vaksinimit të popullsisë shënoi një rënie të ndjeshme gjatë muajit tetor me gati 40 përqind, krahasuar me dy muajt e mëparshëm.

Megjithatë autoritetet thonë se aktualisht ka një ritëm të qëndrueshëm. Sasitë më të mëdha në dispozicion dhe përmirësimi i infrastrukturës për shpërndarjen e tyre, shihen si një mundësi për të ecur më shpejt. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi sot se Shqipëria do të ndjekë objektivin e OBSH-së, për mbulesë vaksinale të 70 % të popullatës, deri në mesin e vitit 2022.

Gjatë muajve të verës, fushata e vaksinimit eci me ritme të larta, me një mesatare ditore prej 7500 dozash, në korrik, duke u rritur më pas në afro 8900 doza në gusht e në shtator. Por në muajin tetor, u rregjistrua një tkurrje e ndjeshme. Të dhënat zyrtare të përpunuara nga Zëri i Amerikës tregojnë se muajin e kaluar shifrat ranë me gati 40 përqind, duke zbritur në një mesatare ditore prej pak më shumë se 5400 vaksinime.


Aktualisht, rezulton se mbi 47 përqind e popullatës mbi 18 vjeç ka marrë të paktën një dozë të vaksinës anti covid, ndërsa 41.3 përqind i ka marrë të dyja dozat.

Grupmosha mbi 60 vjeç është ajo më mirë e vaksinuar, edhe sepse ishte në kategoritë me përparësi për vaksinim. “Të paktën sipas një vlerësimi të bërë javën e kaluar, kanë qenë 70 përqind e tyre me dozë të parë dhe 65 me dozë të dytë. Kjo është një shifër shumë e rëndësishme se mosha 60+lus nuk e neglizhon dozën e dytë, respektojnë kohën dhe paraqiten për vaksinimi menjëherë sapo arrin momenti i vaksinimit”, shpjegon Përgjegjësja e programit kombëtar të vaksinimit Erida Nelaj.

Por si është situata me grupmoshat e tjera? “Edhe moshat 50-60 janë goxha mirë të vaksinuar, sepse ka dhe të sëmurë kronikë aty që kanë kërkuar vaksinimin menjëherë sapo u ul fasha moshore. Në moshat e reja, kemi po ashtu vaksinime. Kemi tani, studentët, grupmosha 18-24 vjeç, po pëson një rritje në vaksinim. Dhe është shumë e rëndësishme, se janë studentë që do futen në auditore me 80 vetë e do duhet të mbrojnë, profesorët, shokët e tyre por dhe kur kthehen në fundjava, familjarët e tyre”, shprehet zonja Nelaj.

Ashtu si dhe në vende të ndryshme të botës, teoritë konspirative kanë patur efektin e tyre frenues. Zonja Nelaj thotë se nuk bëhet fjalë aq shumë për një qëndrim refuzues ndaj vaksinës, se sa hezitues: “Qarkullimi i miteve është shumë i dëmshëm në këtë situatë. Nganjëherë njerëzit dëgjojnë atë që duan të dëgjojnë. Ose dëgjojnë diçka që me të vërtetë është e gabuar , por ju pëlqen dhe fokusohen aty dhe e përdorin si element për të mos u vaksinuar, kur duhet realisht të dëgjohet shkenca, të dëgjohen teknikët, të flitet me mjekun e familjes e të dëgjohen këshillat e mjekut”.

Sipas Përgjegjëses për programin kombëtar të vaksinimit, sasitë më të mëdha në dispozicion dhe përmirësimi i infrastrukturës për shpërndarjen e tyre, shihen si një mundësi për të ecur më shpejt. “Duke patur sasi e kemi dhe ne më të lehtë, duke shpërndarë dhe ne sasi më të mëdha. Nga ana tjetër kemi përmirësuar shumë logjistikën dhe ekzistencën e frigoriferëve -70 gradë. Nëse në fillim kishim vetëm ne në nivel qëndror, dhe duhet ta shpërndanim vaksinën, në fillim vetëm për 5 ditë në +2 deri +8 gradë, më pas me udhëzimet që erdhën nga Pfizer dhe aprovimet që mund të mbahet në këto temperature për një muaj, u lehtësua dhe administrimi dhe u mundësua shpërndarja e sasive të tjera. Tani e kemi më të lehtë. Kemi frigoriferë -70 gradë, të paktën në 12 pika në të gjithë Shqipërinë”, thotë zonja Nelaj.

Ndonëse ishte ndër vendet e para në rajon që siguroi furnizimin me vaksinave, Shqipëria rezulton të jetë e parafundit në Ballkan. Por sipas zonjës Nelaj, vendi ndoqi një strategji të mirëpërcaktuar, dhe ndërsa ajo vijon procesin me ritme të qëndrueshme, vendet e tjera, shpjegon ajo kanë një ecuri me të ulët, ndërsa vë në dukje, se “në popullata më të vogla procesi ecën dhe më shpejt. Jam e bindur se në këto vende që patën këtë hovin e madh, ngopen me vaksinimin dhe nuk kanë një rritje në vazhdimësi me vlera të larta, dhe kanë arritur një pikë që më pas rritja është shumë më e vogël. Ndërsa te ne vijon rrija me një ecuri të qëndrueshme çdo javë”.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha sot në parlament se Shqipëria do të ndjekë objektivin e OBSH-së, për mbulesë vaksinale të 70 % të popullatës, deri në mesin e vitit 2022. Megjithatë në programin qeverisës parashikohet një objektiv më ambicioz, për “garantimin e vaksinimin për të gjithë popullsinë mbi 16 vjeç deri në shkurt 2022”./VOA

Në trend Lajme

Më shumë
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Lajme
Zbardhen detaje nga vrasja e 43-vjeçarit në Tropojë, viktima dhe autori ishin shokë

Zbardhen detaje nga vrasja e 43-vjeçarit në Tropojë, viktima dhe autori ishin shokë

Lajme
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar

Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar

Lajme
Guri për padinë e Pecit: Absolutisht e pa logjikshme, në asnjë vend nuk mundesh me padit paditësin

Guri për padinë e Pecit: Absolutisht e pa logjikshme, në asnjë vend nuk mundesh me padit paditësin

Lajme
Philip Reeker: Dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet për administratën e Trumpit

Philip Reeker: Dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet për administratën e Trumpit

Lajme
Kalo në kategori