LAJMI I FUNDIT:

Ishte në burg, Kurti tregon për festën e gardianëve serbë ditën e sulmeve të 11 shtatorit

Ishte në burg, Kurti tregon për festën e gardianëve serbë ditën e sulmeve të 11 shtatorit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar ditën e 11 shtatorit të para 20 viteve, kur ndodhën sulmet e cilësuara si terroriste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kurti përmes një postimi në Facebook, ka rrëfyer se si gardianët serbë kishin festuar ditën e këtyre sulmeve.

“I gjithë burgu i Quprisë në Serbi ushtoi nga thirrjet e ekzaltimit dhe çirrjet e delirit të gardianëve. Mendova mos kishin shënuar Jugosllavia ose Cërvena Zvezda në ndonjë ndeshje sportive. Mirëpo jo. Aeroplanët e marrë peng kishin qëlluar dhe rrënuar kullat binjake në Nju Jork. Pasditja e zymtë e burgut u bë ditë e zezë e 11 shtatorit 2001. I kisha kaluar 2 vjet e 4 muaj e gjysmë nga 15 vjet burg sa më patën dënuar”, shkruan Kurti.


Tutje, ai tha se “Këto sulme terroriste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndryshuan rrjedhën e historisë dhe kuptimin e kësaj date, e cila do të jetë përgjithmonë përkujtim i jetëve të humbura, por edhe i rëndësisë së guximit dhe trimërisë përballë fatkeqësive”.

“Sot përkujtojmë 20 vjetorin e sulmeve vdekjeprurëse që na tronditën të gjithëve, nderojmë, me dhembje e solidaritet, familjet e 2977 viktimave të pafajshme dhe mbarë kombin amerikan. Kosova bashkëndjen thellë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleat historik dhe i pazëvendësueshëm i Kosovës”, shprehet Kurti. /Telegrafi/