LAJMI I FUNDIT:

Me ndihmën e ekspertëve francezë, do të detektohen vatrat e zjarrit në Raoviq

Me ndihmën e ekspertëve francezë, do të detektohen vatrat e zjarrit në Raoviq

Ende janë aktivë disa zjarre në territorin e shtetit, Autoritetet kompetente punojnë në lokalizimin e tyre, ndërsa deri tani janë arrestuar 17 persona, të cilët dyshohen për shkaktimin e zjarrit dhe 16 të tjerë janë thirr në bisedë në stacion të policisë.

Zjarri në fshatin Raoviq në komunën e Sarajit dje paradite u lokalizua pas intervenimit nga ajri të dy helikopterëve të armatës, por nga pasdita sërish është aktiv në tre vende.

Drejtori i Qendrës për menaxhim me kriza, Stojanço Angellov dje në konferencë për shtyp tha se zjarri është specifik për shkak se, pasi ta shuajnë, ai sërish aktivizohet në disa vende, pasi nëntokë vazhdojnë të digjen rrënjë të drunjve.


Për sot, siç paralajmëroi, në terren do të dërgohen 30 pjesëtarë të Njësisë speciale, të shoqëruar nga ekspertë francezë dhe katër francezë të cilët do të punojnë me drone speciale me kamera termale, të cilat mund ta zbulojnë zjarrin nën tokë, me qëllim që të gjenden pikat e nxehta, të cilat janë të padukshme nga helikopteri.

Përveç në Shkup, zjarr i ri është vërejtur edhe tek fshatrat Grumazi dhe Iveni në komunën e Novacit. Aktiv është edhe zjarri mes fshatrave Barovë dhe Veshje në komunën e Demir Kapisë.

Ministria e Punëve të Brendsme deri tani ka arrestuar 17 persona, ndërsa në bisedë janë thirrur edhe 16 të tjerë për zjarrvënie. Janë parashtruar tre padi penale dhe dy kundërvajtje, shkroi dje pasdite ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski në Fejsbuk.

Në status, Spasovski thekson se në koordinim me prokurorin publik po punohet në ndriçimin e të gjitha rasteve.

“Dëshiroj edhe njëherë t’u shpreh falëdnerim të gjithë zjarrfikësve në vend, nëpunësve policorë, posaçërisht pjesëtarëve të policisë special të cilët ishin pandalë në terren, pjesëtarëve të Armatës, ndërkaq mirënjohje të veçantë meritojnë të gjithë qytetarët solidarë të cilët u përfshinë në shuarjen e kësaj stihie të zjarrit”, shkroi Spasovski në Fejsbuk.

Gjatë periudhës së kaluar aktivë ishin disa zjarre të mëdha, në shuarjen e të cilave janë përfshirë edhe zjarrfikës nga Austria, Sllovenia, Bullgaria…Ndihmë në helikopterë dhe aeroplanë kanë dërguar edhe Serbia dhe Rumania.