LAJMI I FUNDIT:

Botohet libri “Dijetarë shqiptarë në Perandorinë Osmane (1880-1912)”

Botohet libri “Dijetarë shqiptarë në Perandorinë Osmane (1880-1912)”

Në vazhdën e botimeve në fushën e trashëgimisë sonë kulturore e shkencore islame, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka botuar librin “Dijetarë shqiptarë në Perandorinë Osmane (1880 – 1912), sipas dokumenteve të Meshihatit të Lartë Osman”, i autorëve Sadik Mehmeti, Hatixhe Ahmedi dhe Ramadan Shkodra.

Kjo është vepra e parë me karakter enciklopedik e botuar nga BIK, por është e para edhe në Kosovë dhe në trojet shqiptare, në të cilën përfshihen dhe ndriçohen, biografitë e 195 personaliteteve shqiptare.

Bëhet fjalë për personalitete që kanë dhënë kontribut në jetën arsimore, kulturore dhe fetare gjithandej ku vepruan, pra edhe në viset shqiptare në fundin e shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX – shumica prej tyre, fare pak ose aspak të njohur më parë për opinionin shkencor shqipfolës dhe më gjerë.


Kontributi i dijetarëve shqiptarë është pasqyruar përmes dokumenteve të shumta arkivore osmane të kohës, të cilat ruhen nëpër arkivat e Turqisë dhe të cilat janë hulumtuar, identifikuar, grumbulluar, analizuar, deshifruar e interpretuar nga autorët.

Libri përfshinë dijetarët shqiptarë nga katër vilajetet shqiptare: Kosovë, Shkodër, Manastir, Janinë, që kanë vepruar në periudhën midis viteve 1880-1912.

Vitin 1880, autorët e kanë si përkufizim të parë, sepse pikërisht në këtë vit kanë filluar të kompletohen dosjet personale të nëpunësve të institucionit më të lartë fetar-arsimor të perandorisë, përkatësisht të Meshihatit të Lartë Osman, proces ky i cili ka vazhduar deri në përfundimin e Perandorisë Osmane më 1924.

Viti 1912, ndërkaq, është marrë si përcaktues përmbyllës i këtij harku kohor, sepse pikërisht në këtë vit Perandoria Osmane largohet nga trojet shqiptare.

Autorët kanë dhënë edhe numrin e dijetarëve për të gjitha qytetet e mëdha të vilajeteve shqiptare.

Ky libër vlerësohet se paraqet një kontribut me vlera shkencore për historinë e institucioneve, arsimit, kulturës e trashëgiminë islame në veçanti dhe për historinë tonë në përgjithësi. /rtk/