LAJMI I FUNDIT:

JEHONA E PLUMBTË

JEHONA E PLUMBTË

Poezi nga: Gerard Manley Hopkins
Përktheu në shqip: Merita Paparisto

Si ta ruash – a ka diku ndonjë diçka, ndonjë asgjë të tillë
diçka të panjohur askund, shirit apo furqetë
a gërshet a shtrëngese, gjalm, shul a mbërtheckë a kyç
mbyllur ta mbajë të bukurën, ta ruajë,
të bukurën, bukurën, bukurën…
nga venitja, shkuarja tej?

Oh a ka ndonjë mos rrudhosje të këtyre rrudhave,
rreshtit të rrudhave të thelluara në thellësi?
Asnjë ndalese e këtyre lajmëtareve më të zymtë,
lajmëtarëve të ngrirë,
lajmëtarëve të trishtuar dhe vjedharakë të grisë?


Jo s’ka asnjë, s’ka asnjë, oh jo s’ka asnjë
As që ke për të pasur ndonjëherë këtë pamje që tani ke,
të mirë mund ta quajmë.
Le të bësh ç’ka mund të bësh, çfarë,
të bësh ç’ka të mundesh
por urtësia do të zhduket e para:
Fillo, përsa kohë që … jo, s’ka asgjë që mund të bëhet
për ta mbajtur sa më larg
plakjen dhe flokët e bardhë djallëzorë të moshës
rrudhosje dhe rrudha, lëkura që varen, vdesin,
më e keqja e vetë vdekjes, lëkura të bëra shuk,
varre dhe vemje, rrënim dhe kalbëzim.
Pra fillo, fillo ta humbësh shpresën
nuk gjendet asnjë, jo, jo, jo, asgjë nuk gjendet
fillo humbe shpresën, humbit shpresën
Humbe, humbe, humbe, humbe.