LAJMI I FUNDIT:

Dibër: Shkollë verore për fëmijët e mërgimtarëve

Dibër: Shkollë verore për fëmijët e mërgimtarëve

Gjatë muajit korrik, në Dibër për herë të parë do të mbahet shkolla verore për fëmijët e mërgimtarëve nga Amerika dhe Europa që do të jenë në vendlindjen e tyre ku do ti kalojnë pushimet verore. Organizator është shoqata e mërgimtarëve dibran “Dibra” me seli në Nju Jork. Aktiviteti në fjalë është në kudër të aktiviteteve verore që mërgata dibrane së bashku me pushtetin vendor i organizojnë këtë verë.

Sipas përfaqësuesve të shoqatës atdhetare “Dibra”, qëllimi i kësaj shkolle verore është për ti mësuar fëmijët e mërgimtarëve që jetojnë në SHBA dhe në shtetet e Europës me historinë dhe pasuritë natyrore të qytetit të Dibrës. Kryetari i shoqatës, Dashnor Miftari, tregon se bëhet fjalë për aktivitete që kanë vend të veçantë në manifestimin “Vera në Dibër 2021”.

Aktiviteti është përshëndetur nga mërgimtarët meqë për herë të parë, fëmijët e tyre që janë rritur dhe arsimuar në mërgim, do të kenë mundësi që në vendlindjen e prindërve të tyre, të mësojnë programe speciale që kanë të bëjnë me historinë, kulturën dhe traditat e Dibrës. Po ashtu, fëmijët do të vizitojnë pasuritë natyrore të shumta që ka Dibra dhe rajoni i saj, ndërkohë që në kuadër të shkollës verore – do të realizohet edhe kampi veror me fëmijë nga diaspora, por edhe me fëmijë nga prindër dibranë që sot jetojnë në Shkup, Kosovë dhe Shqipëri. Përveç mësimit, fëmijët do të argëtohen dhe njohin kulturën, traditën dhe pasuritë në përgjithësi të Dibrës, thonë organizatorët.


“Ky aktivitet i cili do të zhvillohet në bashkëpunim me shkollën digjitale në Dibër, do të mundësojë që fëmijët të marrin edhe aftësi plotësuese digjitale”, thotë koordinatorja e shkollës, Mirjeta Mullarexha. Ideja për të qenë së bashku fëmijët nga prindër dibran – pa marrë parasysh se ku jetojnë e ku mësojnë, ka ardhur nga shoqatat e mërgimtarëve, por edhe nga pushteti vendor dhe shoqatave dibrane që veprojnë në vendlindje. Organizatorët thonë se përkrahja për këtë iniciativë që në Dibër të ketë shkollë verore për fëmijët e mërgimtarëve – pa marr parasysh se ata ku jetojnë, ia vlen meqë gjatë pushimeve verore, fëmijët do të marrin informata, dashurinë dhe dituri për vendlindjen e tyre. Interesimi tek prindërit është i madh dhe pritet që në shkollën verore të mësojnë më shumë për Dibrën, por dhe shoqërinë, miqësinë dhe njëkohësisht të argëtohen./Koha.mk/