LAJMI I FUNDIT:

Hajdari: Qeveria po përgatitet për masat e reciprocitetit ndaj Serbisë

Hajdari: Qeveria po përgatitet për masat e reciprocitetit ndaj Serbisë

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se nuk do të largohen nga premtimi që kanë dhënë për reciprocitetin dhe se kanë filluar përgatitjen për masat e reciprocitetit ndaj Serbisë.

“Ne, përpos që i kemi tash masat e planifikuara për reciprocitetin për Serbinë të cilat jemi duke u përgatitur si Qeveri dhe këto masa merren në koordinim të plotë me kabinetin e Qeverisë, pra jo vetëm me një ministër. Ne kur i marrim masat, do t’i marrim pa kthim pas. Ne jemi duke u përgatitur për marrjen e masave të recipricitetit”, tha ajo.

Hajdari tha që si masë e parë kanë vendosur Ligjin për tregtinë me jashtë. Sipas saj, ky Ligj mbron tregun dhe është konform rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë.


“Unë vetë kam kërkuar nga kryeministri që të shqyrtojmë barrierat që kemi me Serbinë. Nuk duhet të marrim vendim aty për aty dhe pastaj të kemi probleme në zbatim”, tha ajo, në emisionin ‘Kallxo Përnime’.

Gjatë fushatës zgjedhore, kryeministri Albin Kurti kishte thënë që çështja e reciprocitetit është çështje ditësh ose javësh.

“Është çështje ditësh ose javësh, kurrsesi muajsh. Nuk e di tash se cila do të jetë sekuenca por është ndër gjërat e para që do të bëjë”, kishte thënë në debatin në RTV Dukagjini ‘Debat Plus’, duke folur për reciprocitetin me Serbinë.

Ndërkaq, Hajdari pas më shumë se 100 ditësh të Qeverisë Kurti, thotë se kryeministri ka thënë publikisht para saj që kur të vendosin për reciprocitetin nuk ka kthim pas.

“Ai ka përmendur përgatitjen e doganave dhe kjo kërkon zbatim të mirëfilltë të reciprocitetit. Nuk është mirë që Republika e Kosovës të vendos një masë të reciprocitetit ‘ad hoc’ e pastaj të kemi problem në zbatim”, tha ajo.