“Një milion klikime në dy ditë!” Me këtë lajm u ndërpre edicioni qendror i lajmeve në një televizion kombëtar, për një këngë të fundit. Pse u dashka që një këngë të futet në një edicion informativ, e kuptova vetëm në fund të lajmit, para se kënga të kapte shifrën e një milion e një klikimeve bashkë klikun tim të shastisur…
Qëllimi, më shumë se kënga, ishte telepubliciteti për resortin luksoz diku në jug ku zhvillohej klipi e ku rreziten VIP-at, paria e vetëshpallur e atdheut. Produkte të fabrikës sonë sociale, përbërë prej speciesh që në kushte të caktuara mund të shqyhen e vriten për ca tenderë apo hapësira shezlongësh. Klipi i këngës, mbushur me duzina vajzash robotike, të cilat tek i sheh të kujtojnë se produkti që i kanë ngarkuar të të shesin vazhdon të mbetet thjesht një justifikim për përballjen me ty.
Teksti, diçka mes fjalës dhe lehjes, kënduar nga zëra të paradizuar e tallavizuar, me një tush togfjalësh “me ty Nina, me ty Nina o (4x), jeta jon’, jeta jon’ si në filma (2x).” Një muzikë surrugato që këto ditë vere dëgjohet zëlartë nga makinat për të tërhequr vëmendjen e vajzave, nën qelbjen e mjedisit akustik plot bas që u turbullon mendimet.
Asgjë që lidhet a të kujton sadopak art.
Për Bodlerin, arti është lulja e së keqes. Shpesh, vështirësitë, vuajtja, rreziku, janë motive më të fuqishme në krijimtari se zhurma, ahengu, vardisja, veleritja. Arti është e vetmja fushë ku njeriu mund të jetë i lirë, i patjetërsuar, ku vendos një raport human me njerëzit, shoqërinë, botën dhe veten. Në këtë kazan kakofonie ku gjithçka vlon, nuk mund të pritet që media, në mënyrë të pavarur, të prodhojë ndonjë vlerë të pranueshme për veshët apo shpirtrat e shqiptarëve. Askush nuk guxon të jetë festëprishësi i kësaj lukunie përbindëshe milionaklikimëshe. I ulërimave kolektive si të një shoqërie në panik. Nga haremi i madh virtual selfie-sh të brezave të djegur në kohë paqeje.
I djegies së qyteteve ku nuk gjen teatër, librari, kinema, por ka një “longue bar”, “beach bar”, “irish pub” për çdo 20 metra katror e ku vritet shpresa e një brezi të patekst si këngët që dëgjon. Të dehur tapë nga iluzioni i ngadhënjimit, qytetet që jetojnë me rrëfenja prioritetesh mitologjike dhe kulinarie. Qyteti im përmendet kryesisht për një lloj peshku. Vanitet i kohës së lirë pa ca liri brenda, pa rebelimin që do t’i qëndronte bukur rinisë në kohë si e sotmja, nën paqen e një anomalie, të këtij mutacioni demokracie, duke mbetur vetëm politikisht korrektë dhe pa një adresë finale.
Ai që nuk është i vetëdijshëm, ai që nuk e dallon të keqen, është e keqja vetë – mendonte Aristoteli. Ne shqiptarët e marrim si fakt të kryer se jemi evropianë dhe se i takojmë qytetërimit perëndimor. Fyhemi tek fryhemi nëse dikush vë në diskutim këtë përcaktim. Mirëpo, të jesh evropian, pjesëtar i qytetërimit perëndimor, nënkupton një kusht të vogël; me vetëdije, ose instinktivisht, të pranosh dhe të identifikohesh me parimet themelore të atij qytetërimi, trashëgimisë intelektuale, kulturore, standardet shoqërore apo sistemin e vlerave në përgjithësi.
Asgjë kundër Lindjes dhe botës së pafundme që vjen nga Orienti, por çdo komb duhet të ndërtojë veçoritë dalluese, të kodifikojë atë që e dallon nga të tjerët.
Guri kilometrik i kthesës së ëndërruar, i një kthese të thiktë dhe pa lëbyrje, rri e pret zgjimin e ndërgjegjes kryesisht të më të rinjve. Mbetemi me shpresë se disa inde kanë mbetur ende gjallë nga e gjitha kjo kakofoni.
Pasi përfundoi edicioni informativ, hasa në një citim për një libër udhëpërshkrues “Qytete dhe fantazma” të diplomatit e poetit Jovan Duriq, i cili hedh një vështrim gorgone drejt brigjeve tona ku thuhej se “Shqipëria e bukur, gri dhe e zhveshur, një grumbull gurësh ku rriten gjarpërinj dhe arnautë.” “Jeta jon’ si nëpër filma”! Më mbeti në mendje vargu nga kënga me emrin e pafajshëm të një vajze. Me këngë të tilla, jeta mund të jetë vetëm si në filmat e kinostudios “Shqipëria e Re”.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Pavarësisht nëse Robert Fico mbijeton dhe rifillon ose jo detyrën, Sllovakia është në situatë të rrezikshme
Lidhja mes ekonomive: Roli katalizator i pagesave ndërkufitare me kosto të ulët në Ballkanin Perëndimor
Riorganizimi i makinerisë së luftës së Putinit, zbulon frikën e tij më të thellë – ngritjen e rivalëve në Kremlin
Demografia evropiane - cili shtet ka natalitetin më të lartë dhe ku qëndron Kosova?
Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute
Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE, reagime të ashpra ta deputetëve gjermanë – kritikojnë qeverinë e tyre
Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete
Real Madrid ka një bishë 19-vjeçare në skuadër: Turku i talentuar Arda Guler tregoi trupin pas stërvitjeve të shumta
Stjuardesa mbeti e shtangur kur pa se çfarë fshihej në bagazhin e brendshëm të aeroplanit
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Krijo hapësirën tënde të biznesit – zyre me qira te 4 Llulat – 300€/muaj ID-252
Më të lexuarat
Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute
Demografia evropiane - cili shtet ka natalitetin më të lartë dhe ku qëndron Kosova?
Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE, reagime të ashpra ta deputetëve gjermanë – kritikojnë qeverinë e tyre
“Vuçiq paguan paraprakisht në rast të fitores së Trumpit”, mediat botërore shkruajnë se si dhëndrit të ish-presidentit amerikan iu shit ndërtesa e Shtabit të Ushtrisë Serbe
Gjithçka çfarë duhet të dini për meçi mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk: Koha, titujt, rekordet dhe pesha e tyre
Projekti më i mirë, Piramida e Tiranës fiton çmimin e madh për Evropën Juglindore