LAJMI I FUNDIT:

Dyshohet se pengoi kolegët gjatë arrestimit të një personi në Gazimestan, IPK kërkon suspendimin e policit serb

Dyshohet se pengoi kolegët gjatë arrestimit të një personi në Gazimestan, IPK kërkon suspendimin e policit serb
Foto: Ilustrim

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e një pjesëtari të Policisë së Kosovës, i cili kishte penguar kolegët e tij gjatë arrestimit të djeshëm në Gazimestan.

Polici, që siç mëson Telegrafi ishte serb, kishte penguar kolegët e tij në kryerjen e detyrave zyrtare, derisa ata po arrestonin një shtetas të Malit të Zi gjatë festimit të Vidovdanit.

Në një përgjigje për Telegrafin, zëdhënësi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Arbër Beka ka thënë se ata kanë filluar hetimet dhe në interes të kësaj procedure kanë rekomanduar që i dyshuari të suspendohet.


“Inspektorati Policor i Kosovës me autorizim të Prokurorisë Themelore të Prishtinës ka filluar hetim penal ndaj një  zyrtari policor me dyshimin  për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”. IPK ka filluar këtë hetim me dyshimin se  ky zyrtar ka penguar zyrtarët tjerë policorë gjatë arrestimit të një të dyshuari në vendin e quajtur Gazimestan. Në interes të procedurës hetimore IPK ka rekomanduar suspendimin e të dyshuarit”, bëri të ditur Beka për Telegrafin.

Ndryshe, si edhe çdo vit tjetër, serbët u mblodhën edhe të hënën e 28 qershorit në afërsi të Obiliqit për të marr pjesë në festimet e Vidovdanit, ditë kjo e shënuar për ta, e që ndërlidhet me përvjetorin e 630-të të Betejës së Kosovës.

Një shtetas i Malit të Zi dhe shtatë të Serbisë janë shoqëruar në stacionet përkatëse policore, teksa në ndalim policor është vetëm shtetasi i Malit të Zi, për 48 orë.

Sipas detajeve nga raporti i Policisë së Kosovës, patrullat policore në dy raste gjatë kontrollit të veturave kanë gjetur armë të ftohta dhe maica me mbishkrime serbe.

Pikërisht gjatë arrestimit të shtetasit të Malit të Zi, pjesëtari i PK-së, kishte penguar kolegët e tij në kryerje të detyrës, për çka edhe pritet të suspendohet. /Telegrafi/