LAJMI I FUNDIT:

Futbolli dhe një copë kujtimi nga fëmijëria

Futbolli dhe një copë kujtimi nga fëmijëria

Nga: Daut Dauti

Stadiumi i klubit futbollistik, që atëherë quhej “Crvena Zvezda”, ka qenë matanë rrugës dhe përballë fabrikës së metaleve “Gosha”. Stadiumi, i cili në fakt ishte vetëm fushë futbolli, ishte larg shtëpisë tonë, por unë atje shkoja me nënën time e cila, aty afër, kishte një kushërirë. Sa herë që shkoja, qëlloja në ndonjë ndeshje apo stërvitje të lojtarëve. Shkoja me gëzim dhe mendoja se sa me fat ishin këta njerëz që e kishin shtëpinë me pamje nga stadiumi.

Fusha ka qenë e shtruar me një material me ngjyrë kafeje, në formë të zallit që i thoshin “shushlak” dhe që kishte kokrra mjaft të vrazhdta. Nëse lojtari rrëzohej, ka qenë vështirë të mos i bënte gjunjët apo bërrylat me gjak. Kur topi binte nga lart e përplasej në fushë, dëgjohej një jehonë “bum”, sikur të ishte pëlcitje e një mini-bombe. Terreni ishte aq i rrafshët saqë mua më dukej se e kanë shtypur me “valak”. Më dukej se me këtë rast edhe toka ushtonte dhe dridhej pak sikur të ishte ndonjë pllakë betoni e nën te ndonjë podrum.


Nuk kishte tribuna për shikues dhe nuk e di se në cilën ligë ka qenë atëherë “Zvdezda”. Për ne, fëmijët, fusha dhe futbollistët kanë qenë atraksion i madh. Por, atraksioni i vërtetë ka qenë topi apo futbolli që kishte ngjyrë kafe. Topi ishte i punuar me copa të lëkurës të qepura, kurse në mes kishte një hapësirë që mbyllej me penj. Në këtë pjesë hapej topi dhe cipa e brendshme i ndërrohej apo kapej me ngjitës nëse shpërthente dhe shfryhej.

Ne fëmijët rrinim anash apo pas portës me shpresë që, kur të dilte topi jashtë fushës, do të kishim rast ta shutonim duke e kthyer në fushë. Kushedi sa herë kam vrapuar pas atij topi dhe kurrë nuk kam arrit ta shutoj. Së paku ta provoja se si do të ndjehesha pas shutit të futbollit të vërtetë. Ta shihja nëse topi ishte i rëndë, i butë apo i fortë. Sikur të kisha edhe “kopaqka”, kushedi sa larg do ta shutoja nëse më vinte rasti. Ndoshta do ta gjuaja deri te mesi i fushës ku mblidheshin më së shumti lojtarët e të dy anëve të veshur me “dresa” dhe numra në shpinë.

Topi ka ndryshuar shumë nga atëherë e deri sot. Është përsosur vazhdimisht. Sidomos pas viteve të 60-ta të shekullit të kaluar, kur prodhimin në duar e mori kompania Adidas. Sot topi peshon dikur rreth 430 gramë. Ai pas të cilit vrapoja unë ka qenë diku rreth 500 gramë por, kur binte shi, lagështia i hynte brenda dhe mund ta dyfishonte peshën. Pra, ka qenë vështirë të luhej me këtë top, sidomos nëse të binte në kokë në ditët me shi.

“Kopaqkat”, pra këpucët e futbollit, po ashtu kanë qenë të rënda nga pesha nëse krahasohen me këto të sotshmet. Këto këpucë dikur kanë qenë pothuaj një kilogram dhe pesha rritej nëse lageshin. Prodhimet e para kanë pasur një copë hekuri në maje të gishtave me qëllim që shuti të ishte më i fortë. Edhe këpucët kanë ndryshuar sikurse topi. Pesha ka filluar të bëhet më e lehtë nga vitet 1950 kur edhe këto filloi t’i prodhonte Adidasi. Sot, peshojnë vetëm 90 gramë nëse i blini të firmës Nike.

Kam ndryshuar edhe unë. Por, te unë pesha ka shkuar në anën e kundërt. Megjithatë, siç thotë një fjalë, sot aty me pas një top dhe një palë “kopaqka” nuk e shutoj se më nuk më duket interesant. Por, në fëmijërinë time futbolli ka qenë më i rëndësishëm se sot. Ne kishim albume të futbollistëve dhe i ndërronim fotografitë e lojtarëve që vinin së bashku me një lloj çokollate jokualitative. Nën fotografi gjendeshin informatat bazë të lojtarit: emri, mbiemri, klubi ku luante dhe shteti. I njihnim tërë futbollistët e botës. Ata që kishin fotografi të rralla ishin të rëndësishëm. Shkonim t’i shikonim fotografitë e futbollistëve që nuk i kishim në album dhe diskutonim për ta. Në fakt, nuk dinim më shumë se ajo që shihej në foto, por ne diskutonim për ta sikur t’i njihnim familjarisht e me shekuj.

I shikoja këto fotografi dhe i mbaja në xhep apo në dorë duke u munduar ta gjeja dikën që do t’i ndërronte me mua me ndonjë tjetër që më mungonte në album. Nëse nuk kishte ndërrim, e luanim një lojë në dy mënyra. I lëshonim fotografitë në tokë, secili nga një, dhe pastaj me radhë mundoheshim që t’i kthenim në anën tjetër duke iu rënë me shuplaka që i bënim në formë të gurrës dhe të cilat së pari i hukatnim.  Një formë tjetër, më e lehtë, ka qenë loja në gisht. E vendosnim fotografinë në gishtin tregues dhe tjetri i binte me fotografinë e tij dhe fitonte nëse të dyja në tokë binin në anën e njëjtë.

Mua më së shumti më qëllonin vëllezërit Jack dhe Bobby Charlton, por edhe Dragan Xhajiq. Që të tre këta futbollistë, shumë të popullarizuar edhe pse ishin të rinj kanë qenë qela (tullacë) në pjesën e kokës mbi ballë. Mendoja se iu kanë rënë flokët, për shkak se e shutonin topin me kokë. Me siguri iu qëllonte ajo pjesa me penj që ua shkulte flokët. Besoja se qelat me krye e kanë shutin më të fortë se ata që kishin flokë. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
MOS U DORËZO KURRË

MOS U DORËZO KURRË

Poezi
Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Kulture
Fjalimi i Skënderbeut!?

Fjalimi i Skënderbeut!?

Fjala+
GJUHA SHQYPE

GJUHA SHQYPE

Poezi
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Xhafer Deva, tmerri i Kosta Peçancit: Ky arnaut i vogël ka me na... deri në Nish!

Xhafer Deva, tmerri i Kosta Peçancit: Ky arnaut i vogël ka me na... deri në Nish!

Kulture
Kalo në kategori