LAJMI I FUNDIT:

Shumë fshatra të Pollogut pa kanalizime

Shumë fshatra të Pollogut pa kanalizime

Pjesa më e madhe e fshatrave të Pollogut përballen me mungesë të kanalizimit atmosferik dhe fekal. Pikërisht, kjo situatë vërehet më shumë gjatë kohës kur ka reshje atmosferike të shiut dhe ujërat dalin në sipërfaqe nëpër rrugët e këtyre vendbanimeve.

Kostot e larta për rregullimin e kanalizimeve kanë bërë që deri më tani shumë pak vendbanime të kenë kanalizime atmosferike dhe fekale, kurse pjesa tjetër duhet që të pret ende për të rregulluar këtë çështje. Së fundmi nga Komuna e Tetovës kanë njoftuar se kanë fituar një grant për rregullimin e kanalizimit në shumë fshatra të kësaj komune.

Bekim Memeti, kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës thekson se granti është fituar për rregullimin e kanalizimeve dhe se bashkërisht me këtë punohet edhe në rregullimin e gypave të ujësjellësit në fshatin Poroj, ku gypat janë të vjetër.


“Është një projekt që kap vlerën e 9 milion denarëve dhe ka të bëjë me gypat që janë sjellë nga Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në gjatësi prej 24 kilometra. Punët duhet të fillojnë shpejt, sepse gypat janë shpërndarë në këto lokacione, pra në Xhepçisht, Poroj, Reçicë të Vogël dhe Reçicë të Madhe. Mendoj se sektori përkatës në Komunën e Tetovës do të bëjë maksimumin që punët të fillojnë dhe të përmbyllen sa më shpejtë. Komuna e Tetovës tashmë ka fituar grant prej 30 milion euro për rregullimin e kanalizimit fekal dhe atmosferik. Bëhet fjalë për rregullimin e kanalizimit nga Xhepçishti deri në Reçicë të Madhe. Nga fshati Falisht e deri në fshatin Bozovcë”, thotë Bekim Memeti, kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës.

Banorë të këtyre vendbanimeve vite me radhë vet kanë hapur gropa nëpër oborret e tyre për të akumuluar ujërat fekale dhe kjo sipas ekspertëve paraqet rrezik për ndotjen e ujërave nëntokësorë. Krahas kësaj, shumë herë është raportuar se fshatrat e Malësisë së Tetovës, nuk kanë kanalizim fekal dhe atmosferik dhe ujërat e zeza derdhen në Lumin Shkumbin duke ndotur ujin.

Së fundmi, edhe fshati Tearcë i Komunës së Tearcës ka përfituar mjete nga Ministria e Ekologjisë për rregullimin e kanalizimit fekal dhe atmosferik, kurse vendbanimet tjera duhet që të presin./Koha.mk/