LAJMI I FUNDIT:

Sëmundjet e aortës

Sëmundjet e aortës

Aorta është arteria më e madhe në trup e cila del nga ventrikuli i majtë i zemrës. Gjaku i pasur me oksigjen futet në aortë me çdo kontraksion (tkurrje) të ventrikulit të majtë dhe përmes enëve të imta të saj arrin deri tek të gjitha indet dhe organet e trupit

Prof.ass. Daut Gorani dr.sc.
Internist dhe Kardiolog
Tel. 049 560 172

Muret e aortës përbëhen nga tri shtresa të cilat janë të ndërtuara nga inde të ndryshme: shtresa e brendshme e hollë (intima), shtresa e mesme më e trashë, elastike (media) dhe shtresa e jashtme e hollë (adventicia).


Muret e aortës duhet të jenë mjaft fleksibile për të pranuar të gjithë gjakun që hedhet nga ventrikuli i majtë gjatë çdo kontraksioni. Fijet elastike janë posaçërisht të dendura në segmentin e aortës ascendente ku është shtypja më e lartë.

Struktura e aortës

Rënia e aortës – fillon nga valvula e aortës, mandej zgjerohet dhe nga kjo pjesë dalin arteriet koronare të cilat e ushqejnë tërë muskulin e zemrës.
Aorta ascendente – është pjesa e cila lidhë rënien dhe harkun e aortës. Ajo i nënshtrohet më së shumti shtypjes së gjakut që del nga zemra.
Harku i aortës – vendi ku aorta lakohet, jap degët të cilat furnizojnë kokën dhe duart me gjak.
Aorta descendente – fillon nga harku, lëshohet poshtë dhe përfundon në nivel të diafragmës. Nga kjo pjesë ndahen degët të cilat ushqejnë brinjët.
Aorta torako-abdominale – fillon në nivel të diafragmës, jap degët për furnizimin e lukthit, pjesës së poshtme të ezofagut, mëlçisë, shpretkës, pankreasit, zorrëve dhe veshkave.
Aorta abdominale – fillon nën degët e arterieve renale dhe përfundon në vendin ku degëzohet në dy degë të arterieve iliake (komblikut) të cilat furnizojnë me gjak komblikun dhe këmbët.

Aneurizma e aortës

Sëmundja e indeve të aortës karakterizohet me degjenerimin e qelizave të cilat gjenden në murin e aortës. Indi i sëmurë është i dobët, humbë elasticitetin dhe më dobët zgjerohet dhe tkurret. Në atë vend muri i aortës zgjerohet. Kjo quhet aneurizëm.

Muri i aortës mund të filloj të çahet edhe kur aorta nuk është e zgjeruar. Çarja e shtresës së brendshme bie deri te kalimi i gjakut në shtresën e mesme që shkakton ndarjen e shtresës së brendshme dhe të jashtme të murit të aortës dhe kjo quhet disekcion.

Nuk është çdo aneurizëm me rrezik për jetën. Nëse tendoset përtej mase bie deri te çarja e murit të arteries dhe deri te gjakderdhja e cila mund të përfundojë në mënyrë fatale.

Cilët janë shkaktarët e paraqitjes së aneurizmës së aortës?

Sëmundjet trashëguese (sindromi Marfan, sindromi Ehler-Danlos, sëmundje të cilat prekin indin lidhor).
Valvula aortale bikuspidale (me dy kapak)
Lëndimet dhe infeksionet e murit të aortës
Abnormalitetet e lindura të murit të aortës
Defektet e gjeneve (janë zbuluar tri gjene të cilat janë në lidhje me paraqitjen e aneurizmës së aortës. Personat të cilët kanë defekt të një nga këto gjene kanë gjasa të mëdha për t’u sëmurë nga disekcioni i aortës gjatë jetës).

Cilët janë faktorët e rrezikut në paraqitjen e aneurizmës së aortës?

Arteroskleroza (grumbullimi i shtresave yndyrore në murin e enës së gjakut).
Ngritja e shtypjes së gjakut (hipertensioni)
Tymosja e duhanit
Mosha (më se shpeshti pas moshës 60 vjeçare)
Gjinia (më e shpeshtë te gjinia mashkullore)
Trashëgimia (personat që kanë në familjen e tyre dikë me aneurizëm të aortës)

Cilat janë simptomat e aneurizmës?

Simptomat dallohen varësisht nga lloji dhe lokalizimi i aneurizmës. Simptomat mund të paraqiten edhe për shkak të presionit të aneurizmës në strukturat përreth: organe, nerva, enë të gjakut, etj.

Mund të paraqitet:

▪ Frymëmarrja e vështirësuar, ngjirja e zërit, kollitja, pengesat në gëlltitje, dhembja në shpinë ose në krahun e majtë ose në mes të shpatullave.
▪ Dhembje e papritur, e fortë, në gjoks ose në bark, kur i sëmuri ndjen diçka si pëlcitje në trup. Dhembja mund të shpërndahet nga gjoksi në shpinë dhe në mes të shpatullave.
▪ Mund të vie deri te formimi i trombit në aortë i cili lëvizë përmes qarkullimit të gjakut dhe shkakton embolinë (tromboza në tru, infarkti në zemër, veshkë, mëlçi, ekstremitete).
▪ Çarja e aortës abdominale shkakton dhembje në bark ose në pjesën e poshtme të shpinës.
▪ Disekcioni i aortës ndonjëherë mund të shkaktojë gjakderdhje në qesen perikardiale (pëlhurën e zemrës) dhe shkaktojë tamponadën e perikardit (gjendje në të cilën ndërpritet mbushja e zemrës me gjak dhe nëse zhvillohet shpejtë përfundon në mënyrë fatale).
▪ Çarja e aneurizmës shkakton gjakderdhje të madhe dhe shok cirkulator.

Si zbulohet aneurizma e aortës?

Për diagnozën e aneurizmës së aortës duhet të bëhen këto ekzaminime:

▪ RTG (imazheria rëntgenografike) e mushkërive dhe zemrës
▪ Ultrazëri i zemrës (përparësi ka ultrazëri transezofageal) dhe barkut
▪ CT (tomografia e kompjuterizuar) e kafazit të kraharorit dhe barkut
▪ MRI (imazheria me rezonancë magnetike) e kafazit të kraharorit dhe barkut
▪ Arteriografia

Si mjekohet aneurizma?

▪ Aneurizma e paraqitur nuk do të largohet vetvetiu. Barërat mund të ngadalësojnë rritjen e sajë, por nuk mund ta zhdukin atë. Mjekimi varet nga madhësia dhe lokalizimi i aneurizmës si dhe gjendjes së përgjithshme të pacientit.
▪ Nëse aneurizma është e vogël dhe nëse nuk jap simptome (nëse zbulohet rastësisht gjatë kontrollit rutinor), duhet të ndiqet d.m.th. të bëhet ultrazëri ose ekokardiografia, CT ose rezonanca magnetike një ose dy herë në vit.
▪ Nga barërat përdoren antihipertenzivët të cilët zvogëlojnë shtypjen e gjakut dhe kështu ngadalësojnë rritjen e aneurizmës dhe pengojnë komplikimet (beta bllokuesit dhe AT inhibitorët) dhe statinat (barnat të cilat e zvogëlojnë nivelin e kolesterolit). Nëse jeni duhanxhi, është shumë me rëndësi të ndërpritet tymosja e duhanit.
▪ Nëse aneurizma ka përfshirë segmentin ascendent të aortës (në kafazin e kraharorit) mjekimi operativ shqyrtohet nëse diametri është 5-5,5 cm. Nëse aneurizma ka përfshirë segmentin descendent të aortës, mjekimi kirurgjik shtyhet deri sa të zgjerohet diametri mbi 6 cm. Nëse bëhet fjalë për sindromin Marfan ose aneurizma ritet shpejtë ose ekziston anamneza familjare pozitive për aneurizëm, mjekimi operativ rekomandohet edhe më herët.
▪ Te të sëmurët të cilët kanë disekcion, operacioni duhet domosdo të bëhet urgjent.
▪ Mjekimi invaziv mund të bëhet në dy mënyra: vendosja endovaskulare e stentit ose operimi klasik me hapjen e barkut dhe vendosjen e protezës. Në çfarë mënyre do të realizohet operimi varet nga gjendja e përgjithshme e pacientit dhe lokalizimi i aneurizmës.

Mjekimi endovaskular bëhet nëse aneurizma është e vendosur në aortën abdominale dhe te të sëmurët tek të cilët ekziston rreziku i lartë operator. Realizohet ashtu që mjeku vendos kateterin përmes arteries femorale dhe përmes saj futet grafti i cili do të plasohet në brendi të aortës, dhe në këtë mënyrë do të përforcojë murin e aneurizmës dhe pengojë çarjen.

Mjekimi operativ klasik realizohet ashtu që largohet segmenti i zgjeruar aneurizmatik i aortës (torakale ose abdominale) dhe vendoset proteza sintetike. Ky operacion kërkon hapjen e kafazit të kraharorit ose barkut dhe mjekimi zgjatë disa muaj.

Edhepse me operim urgjent është i mundur shërimi i aneurizmës që ka filluar të çahet (ndahen shtresat e aortës), rreziku operativ është shumë më i madh dhe gjasat e mbijetesës janë më të vogla (vdekshmëria te operimi i aortës torakale është 10-15%). Shumica e të sëmurëve me rupturë (çarje) të aneurizmës, vdesin para se të arrijnë në spital.

Si të pengohet paraqitja e aneurizmës së aortës?

▪ Mbajtja e shtypjes së gjakut nën 140/80mmHg.
▪ Të ndërpritet duhanpirja
▪ Ushtrimi fizik i rregullt
▪ Reduktimi i ushqimit të yndyrshëm dhe mbajtja e kolesterolit në kufij normal.

Prognoza

Rreth 75% të të sëmurëve me disekcion të aortës vdesin në dy javët e para nëse nuk mjekohen. Përkundrazi, 60% të të sëmurëve të cilët mjekohen dhe mbijetojnë dy javët e para, mund të jetojnë së paku 5 vite pas disekcionit të aortës, ndërsa 40% të tyre jeton së paku 10 vite.

Rreziku i vdekjes nga operimi i disekcionit të aortës në qendrat e mëdha të specializuara sot është 15% për disekcionet të cilat janë afër zemrës, ndërsa pak më shumë për ato më larg nga zemra.

Të gjithë të sëmurëve të cilët kanë mbijetuar disekcionin e aortës duke përfshirë edhe ata të operuar, mjekët u japin terapi afatgjate për mbajtjen e tensionit të ulët të gjakut duke zvogëluar kështu goditjen e rrymës së gjakut në aortë. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Dy suplementet e njohura mund të zvogëlojnë rrezikun e një sëmundjeje autoimune deri në 30 për qind

Dy suplementet e njohura mund të zvogëlojnë rrezikun e një sëmundjeje autoimune deri në 30 për qind

Shëndetësi Lajme
Kalo në kategori