LAJMI I FUNDIT:

OAK dhe MAPL diskutojnë potencialet e bashkëpunimit

OAK dhe MAPL diskutojnë potencialet e bashkëpunimit

Me qëllim të bashkëpunimit të ndërsjelltë dhe profesional në çështjet me interes të përbashkët, përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) zhvilluan një takim pune me Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi.

“Duke marrë parasysh faktin që një nga objektivat e MAPL-së është edhe forcimi i partneriteteve ndërmjet pushtetit lokal, shoqërisë civile dhe bizneseve, në mënyrë që të krijohet një partneritet gjithëpërfshirës dhe koheziv, OAK u shpreh e hapur për të qenë pjesë e grupeve punuese e diskutimeve publike, për të dhënë kontributin e saj në këtë drejtim.

Nënkryetari Arsim Selmonmusaj përgëzoi Ministrin për pranimin e detyrës, duke u shprehur i hapur për bashkëpunim në aspektin profesional rreth çështjeve konkrete”, thuhet në njoftimin për media.


Sekretari i bordit, Diamant Elshani njoftoi Ministrin rreth punës dhe aktiviteteve të OAK-së, duke potencuar disa nga prioritetet e saj për këtë vit. Ndër të tjera Elshani theksoi që për çfarëdo lloj mundësie të kontributit me bizneset, OAK-në mund ta konsiderojnë si një partner potencial.

Ministri Krasniqi falendëroi përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës për takimin, duke u dakorduar për një bashkëpunim të dyanshëm, në favor të krijimit të lehtësirave për bizneset vendore.

Krasniqi theksoi që duke qenë Komunat nën domenin e tij, është e rëndësishme që bizneset ti kenë partner, kjo pasi që janë shumë të interesuar që të mbështesin dhe fuqizojnë Komunat, meqenëse janë institucionet e para ku shërbehen bizneset dhe qytetarët. /Telegrafi/