LAJMI I FUNDIT:

Kurti: Mbrëmë fitoi opozita, sonte duhet të fitojë shteti – zgjedhja e Osmanit presidente është fitore për Kosovën

Kurti: Mbrëmë fitoi opozita, sonte duhet të fitojë shteti – zgjedhja e Osmanit presidente është fitore për Kosovën
Foto: Arkiv

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se mbrëmë fitoi opozita ndërsa sonte duhet të fitojë shteti.

Kurti në Facebook ka shkruar se zgjedhja e Presidentes së Republikës është fitore për Kosovën.

“Ajo nuk është kundër askujt dhe është për të gjithë. Me zgjedhjen e Presidentes përmbyllet hapi i tretë i konstituimit të institucioneve të legjislaturës së tetë”, tha ai.


Tutje shtoi se nuk është arritur votimi i projektligjit për Zgjedhjet, pasi nuk dispononin 2/3 e deputetëve.

“Pas fitores me 50,28% të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit, ne jemi shumica në Kuvendin e Kosovës. Mbrëmë deputetët tanë ishin shumica, por nuk ishin 2/3 e të pranishmëve. Nuk arritëm të procedojmë me projektligjin që ua mundëson mërgatës të votojë në ambasadat e konsullatat tona”, shkroi Kurti.

Më tej theksoi se ky Projektligj nuk kishte të bënte me reformën zgjedhore.

“Sidoqoftë, ai sot nuk është aktual. Sot kemi seancën për zgjedhjen Presidente Vjosa Osmani. Menjëherë pas kësaj formojmë komisionin ku bashkë me opozitën punojmë, pajtohemi dhe sivjet e përmbyllim reformën zgjedhore”, tha Kurti./Telegrafi.