LAJMI I FUNDIT:

Nëntë minatorë u gjetën të vdekur në Kinë, pasi ishin të bllokuar për dy javë në një minierë ari

Nëntë minatorë u gjetën të vdekur në Kinë, pasi ishin të bllokuar për dy javë në një minierë ari

Nëntë minatorë kinezë janë gjetur të vdekur një ditë pasi 11 kolegët e tyre u shpëtuan pas dy javësh të bllokuar në një minierë ari në provincën Shandong.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, autoritetet konfirmuan vdekjet, derisa një minator mbetet i pagjetur.

Minatorët u bllokuan në minierën Hushan kur hyrja në tunel u shemb pas një shpërthimi më 10 janar.


Ndërkohë, të dielën 11 minatorë të tjerë u nxorën në sipërfaqe.

Gjatë ditës së djeshme, pamjet televizive treguan se si minatorit të parë ia kishin lidhur sytë për t’u mbrojtur nga drita derisa doli në sipërfaqe.

Rreth një ore pas shpëtimit të tij, 10 minatorë të tjerë u nxorën nga një seksion tjetër i minierës, njëri prej tyre thuhej se ishte i lënduar.

“Nga e diela pasdite deri në këtë pasdite, punonjësit e shpëtimit nuk kanë ndaluar kërkimin dhe gjetën edhe nëntë minatorë të tjerë të bllokuar, të cilët fatkeqësisht vdiqën të gjithë”, tha kryetari i bashkisë Yantai, Chen Fei.

“Së bashku me një minator që vdiq të enjten, trupat e nëntë minatorëve të vdekur u nxorën të gjithë nga miniera”, shtoi ai. /Telegrafi/