LAJMI I FUNDIT:

Apeli ia përgjysmon dënimin me burgim të akuzuarit për krime lufte, Darko Tasiq

Apeli ia përgjysmon dënimin me burgim të akuzuarit për krime lufte, Darko Tasiq

Gjykata e Apelit ia ka përgjysmuar dënimin me burgim, të akuzuarit për krime lufte, Darko Tasiq.

Përmes një komunikate për media, Apeli ka njoftuar se ka aprovuar ankesën e mbrojtjes, ashtu që të akuzuarit Tasiq i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 11 vjet burgim.

“Gjykata e Apelit, gjeti se në veprimet e të akuzuarit, të ndërmarra gjatë luftës se fundit në Kosovë, konkretisht ndërmjet datës 25-27 mars 1999, përmbushen të gjitha elementet e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” nga neni 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë( LPRSFJ), vepër kjo sanksionuar edhe sipas nenit 3  Konventës së Gjenevës dhe protokollit të dytë të saj.  I akuzuari,  është dënuar nga Gjykata e Apelit  më 11 (njëmbëdhjetë) vjet burgim, në të cilin i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim”, thuhet në komunikatën e Apelit.


Ky dënim i shqiptuar nga shkalla e dytë, është përgjysmë më i butë se sa ai që ishte shqiptuar nga shkalla e parë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Prizren, më 22 qershor 2020, e kishte shpallur fajtor të akuzuarin Darko Tasiq, për krime lufte kundër popullatës civile në fshatin Krushë e Vogël.

Ndaj të akuzuarit Tasiq, trupi gjykues kishte shqiptuar dënim unik me 22 vjet burgim efektiv, pasi që paraprakisht i kishte shqiptuar shtatë vjet burg për plaçkitje, shkatërrim të qëllimshëm dhe sulm të rëndë dhe mizor ndaj dinjitetit njerëzor dhe 16 vjet të tjera për veprën sulm të rëndë dhe mizor ndaj dinjitetit personal dhe njerëzor.

Mirëpo, kundër këtij aktgjykimi, ankesë në Apel kishte ushtruar mbrojtja e të akuzuarit. Kjo ankesë ishte shqyrtuar nga Apeli në seancën e 16 nëntorit 2020. Sipas mbrojtjes së të akuzuarit, ky aktgjykim i Gjykatës në Prizren nuk përmbante arsye mbi faktet vendimtare dhe ato arsye që janë dhënë, sipas mbrojtjes, janë plotësisht të paqarta çka e bën aktgjykimin të pakuptueshëm.

Sipas ankesës së mbrojtjes, asnjë nga dëshmitarët nuk e kanë përmendur emrin e të akuzuarit Tasiq gjatë fazës së hetimeve, me përjashtim të një dëshmitari. Gjithashtu, mbrojtja thekson në ankesë se gjykata ka tejkaluar autorizimet e saj kur kishte aplikuar ligjin që nuk ishte dashur të aplikohet në këtë rast.

Në këtë kontekst, mbrojtja kishte cekur në ankesë disa vendime të Gjykatës Evropiane të Drejtave të Njeriut (GJEDNj), të marra për raste të Bosnjës, e ku është udhëzuar që për krimet që janë kryer në atë kohë duhet zbatuar legjislacioni i Jugosllavisë. Në këtë rast, sipas mbrojtjes, dënimi më i lartë që mund të shqiptohet ka qenë deri në 15 vjet, përjashtimisht deri në 25 vjet  në rastet kur është parapa dënimi me vdekje.

Sa i përket disa provave materiale, siç është një fletore me emra të disa personave, mbrojtja e të akuzuarit pretendon se në atë kohë kishte ndodhur një vrasje e dyfishtë e dy bujqve serb çka kishte shtyrë banorët tjerë serb të fshatit të bënin roje me radhë dhe për këtë arsye në fletore gjendet edhe emri i të akuzuarit Tasiq.

Pasi kishte dëgjuar referimin e ankesës së PSRK-së dhe propozimin e Prokurorisë së Apelit, avokati i të akuzuarit, Ljubomir Pantoviq kishte thënë se as njëra e as tjetra nuk e vënë në pikëpyetje bazueshmërinë e ankesës së bërë nga mbrojtja.

Pantoviq kishte thënë se asnjëherë nuk e kanë kontestuar krimin e rëndë që ka ndodhur në Krushë veçse shtoi se i mbrojturi i tij nuk është akuzuar për vrasje dhe siç tha, në aktakuzë askund nuk mund të gjendet fjala vrasje.

“Të gjithë dëshmitarët kanë dëshmuar për vrasje të fqinjëve të tyre dhe përjetime të tyre gjatë asaj kohe e më së paku kanë dëshmuar për Darko Tasiqin. Janë nxjerr provat nga aksionet e ushtrisë në Prizren, marrëdhëniet me ushtrisë dhe UÇK-së, kena shiku filma dokumentar nga dy orë dhe në atë film përmenden emrat e 30 serbëve që kanë jetuar aty dhe kanë folur rreth 100 shqiptar dhe askush nuk e përmendin emrin e Darko Tasiq”, kishte thënë Pantoviq në fjalën e tij para kolegjit të Apelit.

Avokati Pantoviq kishte kontestuar kredibilitetin e dëshmitarëve në këtë rast, pasi siç tha, të njëjtit i kishin ndërruar deklaratat e dhëna gjatë fazës së hetimeve me ato të dhënë në shqyrtim gjyqësor.

Sipas Pantoviqit, të gjithë dëshmitarët që janë dëgjuar gjatë gjykimit në shkallë të parë janë dëgjuar edhe gjatë hetimeve dhe numri më i madh i tyre nuk e kanë përmendur emrin e Darko Tasiq si kryes i veprës penale për çka akuzohet.

“Janë pyetur direkt dëshmitarët nëse e kanë parë Darko Tasiqin duke gjuajtur në kamionin me viktima dhe kanë thënë jo, ndërsa kur kanë ardhur në gjykatë kanë thënë se “po e kemi parë”, kishte thënë Pantoviq.

Një ndër arsyetimet se pse dëshmitaret nuk e kishin përmendur emrin e Tasiqit gjatë hetimeve, siç tha avokati, kishte qenë se gjatë marrjes në pyetje ishte ndalur rryma dhe nuk ishte arritur të shkruhet edhe emri i të akuzuarit.

“Në aktgjykim askund nuk theksohet se pse këto deklarata janë ndërru”, kishte thënë Pantoviq.

Dënohet me 11 vjet burgim i akuzuari për krime lufte në Kosovë
Lexo po ashtu Dënohet me 11 vjet burgim i akuzuari për krime lufte në Kosovë

Vet i akuzuari Tasiq kishte thënë tha se nuk ka qenë kurrë i angazhuar as në polici e as në ushtri. Po ashtu, Tasiq tha se për kamionin që përmendet në aktgjykim, kurrë nuk e kishte parë ndërsa për akuzat për plaçkitje, Tasiq tha se nuk kishte qenë “adet” i familjes së tij veprime të tilla.

“Për çka më akuzojnë fqinjët, e dinë ata më së miri a është ashtu a jo. Për mu dënimi më i madh është ai i Zotit dhe le të më dënon ai. Nëse i kisha bo këto që thonë, unë kurrë s`isha ardh në Kosovë më. Unë jom ardh në Kosovës se e kom fytyrën dhe duart e pastra”, kishte thënë Tasiq.

E ankesën e mbrojtjes e kishte kundërshtuar PSRK, e cila në përgjigjen e saj ka theksuar se gjendja faktike në këtë rast është vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë. Sa i përket dënimit të shqiptuar, PSRK ka cituar disa vendime të gjykatave në të cilat janë shqiptuar dënime deri në 20 vjet burgim duke kontestuar pretendimin e mbrojtjes se dënimi i shqiptuar nuk është konform ligjit.

Prokuroria e Apelit përmes një parashtrese i kishte propozuar gjykatës së shkallës së dytë që të refuzon ankesën e mbrojtjes dhe të vërteton aktgjykimin e shkallës së parë.

Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së PSRK-së, me të cilën i akuzuari Darko Tasiq, akuzohet se gjatë muajit mars 1999, ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile të fshatit Krushë e Vogël, të Komunës së Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Tasiq akuzohet se fillimisht gjatë periudhës 15 – 26 mars 1999, ka marrë pjesë së bashku me forcat policore dhe para ushtarake serbe, për të plaçkitur dhe shkatërruar pasuritë e popullsisë civile, duke djegur shtëpi, duke marrë automjetet bujqësore dhe sendet tjera me vlerë të të fshatarëve në përgjithësi dhe familjes Hajdari në veçanti.

Aktakuza e PSRK-së e ngarkon të akuzuarin Tasiq edhe me përdhosjen e trupave të pajetë, duke i djegur kufomat së bashku me forcat tjera policore dhe paramilitare dhe duke i hedhur kufomat në lumin Drin, në një vend jashtë fshatit Krushë e Vogël.

Sipas aktakuzës, i akuzuari me veprimet e tij ka kryer sulm mizor kundër dinjitetit njerëzor dhe kërkohet që i njëjti të dënohet sipas ligjit aktual me jo më pak se 5 vjet burgim ose me burgim afatgjatë ose sipas ligjit të mëhershëm, me jo më pak se 5 vjet ose deri në 20 vjet burgim efektiv.