LAJMI I FUNDIT:

ASH-A: Kjo qeveri është jolegjitime

ASH-A: Kjo qeveri është jolegjitime

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë reaguar përmes një komunikate pasi LSDM dhe BDI në një konferencë të përbashkët për shtyp njoftuan se kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje.

“Sot, kur opinioni u njoftua se është arritur marrëveshje për bashkëqeverisje mes LSDM-së dhe BDI-së, koalicioni Aleanca për Shqiptarët-Alternativa deklaron se kjo është qeveri mashtruese dhe jolegjitime. E para, është mashtruese, sepse të dyja palët i kanë mashtruar rëndë qytetarët dhe, e dyta, është jolegjitime, sepse për partner ka një parti që e ka grabitur forcërisht dhe me manipulime vullnetin politik të shqiptarëve. Së pari, ka mashtruar BDI-ja, e cila sot e ka shkelur me të dyja këmbët premtimin e vetëm parazgjedhor për kryeministër shqiptar dhe, së dyti, ka mashtruar LDSM-ja, e cila para zgjedhjeve thoshte se “në asnjë mënyrë nuk do të bëjë koalicion me BDI-në” thonë nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët-Alternativa.

Nga atje thonë se në Maqedoninë e Veriut kemi të bëjmë me një kastë politike, që nesër do të jetë qeveri, e cila do të sundojë pa asnjë parim, e udhëhequr vetëm nga interesa të ngushta biznesore, klanore dhe familjare.


“Në kontekst të kësaj, duke bërë betejë për demokraci të njëmendtë edhe në vendin tonë, si dhe duke u kujdesur që qytetarët të mos mashtrohen përsëri, koalicioni Aleanca për Shqiptarët-Alternativa do të jetë mbrojtësi dhe ushtari i paepur kundrejt kësaj qeverie jolegjitime dhe mashtruese. Prej nesër ne jemi në ofensivë që, me të gjitha mjetet demokratike, ta kthejmë demokracinë, ta ndalim manipulimin me vullnetin politik dhe ta ndalojmë mashtrimin që si ves i rri mbi kokë një vendi aspirant për Bashkimin Europian”, thuhet në deklartë./Telegrafi/