LAJMI I FUNDIT:

Gripi sezonal në Maqedoni, do të vaksinohen 20% e popullsisë në vend

Gripi sezonal në Maqedoni, do të vaksinohen 20% e popullsisë në vend

Sivjet vaksinat për gripin sezonal pritet të jepen falas për kategoritë më të rrezikuara shëndetësore.

Rrëshqitja drejt valës së re të pandemisë ka bërë që sistemi shëndetësor të ndezë alarmin në parandalimin nga më e keqja. Nga Qendra e Shëndetit Publik në Shkup thonë se aktualisht vaksina për gripin e ri sezonal është në fazë përgatitore dhe deri në vjeshtë synojnë të sigurojnë të njëjtën.

“Këtë vit, Ministria bën përpjekje që vaksinat të jenë pa pagesë për personat mbi 65 vjet, pa kushtëzime. Të sëmurët me sëmundje kronike, gratë shtatzëna, të gjithë fëmijët deri në moshën 5 vjeçe dhe të gjithë të punësuarit në sistemin shëndetësor”, pohoi Aleksandar Stojanov, Drejtor i Qendrës për Shëndet Publik.


Në përjashtim të këtyre kategorive, çmimi i një vaksine të tillë do të kushtoj 600 denarë për njësi.

Në pritje të zbulimit të vaksinës së re anti-covid nga e gjithë bota, mantelbardhët tanë kanë vendosur që imunitetin e popullsisë këtu ta përforcojnë me vaksinën e gripit sezonal. Mobilizimi pritet të bëhet edhe në decentralizimin e laboratorëve në secilin qytet për testet e virusit korona.

“Edhe Qendrat për Shëndet Publik duhet të pajisen me laboratorë adekuat për të testuar sa më tepër dhe të japin rezultate të shpejta. Mos të jetë ngarkesa nga i gjithë vendi vetëm në ISHP-Shkup, duke humbur kohë dhe energji. Madje në hapësirat e Klinikave spitalore të bëhen spitale modulare për valë të re eventuale, por dashtë Zoti mos t’i përdorim asnjëherë”, pohon Aleksandar Stojanov, Drejtor i Qendrës për Shëndet Publik.

Sipas rekomandimeve të OBSH-së, për të evituar komplikimet shëndetësore nga kombinimi eventual i CoVid-19 dhe influencës virusale sivjet në vjeshtë pritet që të vaksinohet 20% e popullsisë në vendin tonë. Vitin e kaluar janë vaksinuar vetëm 5% e popullsisë, përkatësisht janë dhënë rreth 45 mijë vaksina kundër gripit sezonal./Alsat/