LAJMI I FUNDIT:

​Osmani: Mbrojtja e mjedisit është e drejtë kushtetuese e qytetarëve të Kosovës

​Osmani: Mbrojtja e mjedisit është e drejtë kushtetuese e qytetarëve të Kosovës

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka deklaruar se degradimi i mjedisit në emër të promovimit të investimeve në burime të ripërtëritshme të energjisë është i papranueshëm.

Ajo gjatë një takimi sot takim online me përfaqësuesen e organizatës joqeveritare OJQ ‘Pishtarët’, Shpresa Loshaj, ka thënë se ekzistojnë mënyra të duhura se si këto investime mund të realizohen me sukses, e kjo bëhet gjithmonë në konsultim të ngushtë me qytetarët e Kosovës.

Fokus i diskutimit në këtë takim ishte çështja e degradimit të mjedisit në Kosovë si rezultat i ndërtimit të hidrocentraleve me kapacitet të vogël gjenerues, ku në veçanti u trajtua rasti i tri hidrocentraleve të ndërtuara në Komunën e Deçanit.


Osmani tha se në këtë drejtim, përveç kompanive investuese, përgjegjësia bie tek institucionet vendore, dhe të dyja palët duhet të sigurohen që investimet të bëhen konform ligjeve, e jo konform interesave të një grupi të vogël të interesit.

Në takim, Loshaj e ngriti edhe çështjen e padive dhe kërcënimeve që po i bëhen asaj dhe aktivistëve nga kompania investuese në Komunën e Deçanit.

Lidhur me këtë, Osmani u shpreh se liria e shprehjes nuk guxon të kërcënohet nga askush dhe se ngritja e një padie strategjike kundër pjesëmarrjes së publikut ndaj njërit prej aktivistëve, me qëllimin të heshtë dhe frikësojë kritikët, duke i ngarkuar ata me kosto të lartë të mbrojtjes ligjore në mënyrë që të braktisin kundërshtimin e tyre, është një kanosje e drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shprehjes.

“Do të angazhohem personalisht të ngris vetëdijen rreth rëndësisë së mbrojtjes së mjedisit dhe lirisë së shprehjes. Gjersa, përmes një komisioni hetimor parlamentar, do të angazhohemi që të trajtojmë përmbajtësisht dhe të sqarojmë përfundimisht aspektin ligjor të këtyre hidrocentraleve. Shpresojmë që edhe Qeveria do të ndjekë të njëjtin shembull”, tha Osmani.

Në fund, palët ritheksuan se investitorët duhet të marrin seriozisht bashkëpunimin me qytetarët, duke u siguruar që investimet e tyre të mos dëmtojnë komunitete të caktuara, përderisa investimet të bëhen në përputhje me legjislacionin vendor, në mënyrë që investitorët aktualë të jenë shembull i mirë për t’u ndjekur nga investitorët e tjerë në të ardhmen./Telegrafi/