LAJMI I FUNDIT:

Partitë premtojnë jetë më të mirë, secila kërkon votat e qytetarëve më 15 korrik

Partitë premtojnë jetë më të mirë, secila kërkon votat e qytetarëve më 15 korrik

Partitë politike të cilat do të marrin pjesë në zgjedhjet e 15 korrikut, dje i kanë vazhduar aktivitetet në kuadër të fushatës parazgjedhore.

Ata kërkojnë besimin e qytetarëve, duke premtuar jetë më të mirë në të ardhmen. Telegrafi Maqedoni jua sjell të përmbledhura në një vend takimet të cilat kandidatët për deputet dje i realizuan me qytetarët.

Koalicioni në mes Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, dje ka qëndruar në Çerkez të Kumanovës ku edhe shpalosën programin e tyre “shtet për të gjithë”.


Ziadin Sela para banorëve të Çerkezit tha se “shteti ka qenë i njëanshëm deri tani, prandaj edhe është koha të krijohet një shtet për të gjithë ku gjithsecili do të ndjehet i barabartë me tjetrin”. Sipas tij, dita e votimit është dita ku qytetarët kanë pushtetin në dorë për ta bërë ndryshimin.

“Jemi para një situate e cila vjen një herë në katër vjet dhe është e patjetërsueshme të flasim rreth asaj. Ka shumë funksionarë partiak të cilët vijnë dhe mundohen ta kërcënojnë vullnetin politik të popullatës, vullnetin që ata duan ta shprehin. Ditën e votimeve është simbolika e juaj, ato ‘pesë minutash’ ku drejtoheni në kutinë e votimit. Në ora shtatë të mëngjesit, liderët partiak, mos keni asnjë dilemë të gjithë vlejnë zero. Ndërsa fuqia politike, matet në ora nëntë të mbrëmjes dhe ne do të jemi të fuqishëm aq sa do të na jepni ju fuqinë politike, një nga një me votë”, tha Sela.

PDSH dje ka mbajtur takime në disa vendbanime të Komunës së Bërvenicës. Menduh Thaçi ka thënë se është e rëndësishme që të zbatohen disa masa për zbutjen e pasojave ekonomike nga kriza me coronavirusin.

“Këto zgjedhje janë të rëndësishme. Dilni nga shtëpia, merrni maskë dhe stilolaps, shkoni në vendvotim. Rrethoni numër 1”, tha Thaçi.

Kandidati për kryeministër nga radhët e BDI-së, Naser Ziberi, dje ka mbajtur konferencë për shtyp para Qeverisë, prej ku e prezantoi programin e tij qeverisës.

Ai tha se një kryeministër shqiptar mund të jetë hap i madh përpara jo vetëm për komunitetin shqiptar, por edhe për Maqedoninë e Veriut.

“Nëse duam një jetë më të mirë për veten në këtë vend, një shans më të mirë për brezat që vijnë – ne duhet të ndryshojmë mënyrën se si bëhet politika këtu, duhet të shkatërrojmë dypolëshin e dy partive kryesore maqedonase. Në këtë luftë të vazhdueshme politike të ftohtë, në këtë luftë të përhershme midis grupeve të interesit, askush nuk fitoi. Shumë kishin bërtitur fitoren, por askush me të vërtetë nuk mbizotëroi”, tha Ziberi.

Koalicioni “Mundemi” i udhëhequr nga LSDM, pjesë e të cilit është edhe Lëvizja Besa, dje kanë mbajtur disa takime në Gjevgjeli dhe Shkup. Zoran Zaev nga Gjevgjelia tha se është hapur kapitull i ri i shtetit.

Ai ju bëri thirrje qytetarëve që ta mbështetin më 15 korrik, duke ju premtuar jetë dhe standard jetësor më të mirë.

Ndërsa kryetari i OBRM-PDUKM-së Hristijan Mickoski, dje ka realizuar takime në Komunën e Jegunovcës. Ai tha se tashmë nuk do të ketë politikanë nga zyra, por bashkërisht me popullit do të jenë për të mësuar dhe mësimin nga populli do ta zbatojnë.

“Përfundoi koha kur politikanët ishin të privilegjuar. Përfundoi koha kur politikanët ishin të parë me familjarët e tyre. Politikani duhet të jetë këtu me popullin dhe ky do të jetë mësimi i parë që do ta marrin të përzgjedhurit e popullit nga koalicioni ‘Për rindërtimin e Maqedonisë’ më 16 korrik”, tha Mickoski.

Ndryshe, këto zgjedhje do të zhvillohen tre ditë, ku ditën e parë do të votojnë personat që janë pozitiv me coronavirus, ndërsa dita e tretë do të zgjasë deri në ora 21:00./Telegrafi/