LAJMI I FUNDIT:

Ministrat serbë takohen me ambasadorin Kosnett, premtojnë se do të jenë konstruktivë në Qeverinë e re

Ministrat serbë takohen me ambasadorin Kosnett, premtojnë se do të jenë konstruktivë në Qeverinë e re

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett është takuar sot me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Goran Rakiq dhe ministrin për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq, me të cilët biseduan për zhvillimin ekonomik, luftën kundër korrupsionit, dialogun dhe mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve jo shumicë në Kosovë.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Pushtetit Lokal, gjatë këtij takimi Rakiq dhe Jevtiq kanë thënë se do të jenë partner konstruktiv në qeverinë e re.

“Rakiq dhe Jevtiq theksuan se, do të jenë partnerë konstruktiv në qeverinë e re të Kosovës në krijimin e mekanizmave  institucional, për të luftuar korrupsionin, forcimin e shtetit të së drejtës dhe zhvillimin ekonomik në Kosovë”, thuhet në komunikatë.


Ndërkaq, Kosnett ka uruar ministrat për pozitat e tyre dhe theksoi mbështetjen dhe ndihmën e plotë të Ambasadës së SHBA.

Gjithashtu ministrat serbë thanë se do të jenë të përkushtuar për stabilitet.

“Stabiliteti është diçka që të gjithë kemi nevojë në këtë moment dhe ne do të jemi të përkushtuar për atë qëllim”, theksuan ministrat gjatë këtij takimi. /Telegrafi/