LAJMI I FUNDIT:

Dështimet e kaluara, si mësim për marrëveshjen finale Kosovë–Serbi

Dështimet e kaluara, si mësim për marrëveshjen finale Kosovë–Serbi

Kosova dhe Serbia nisën një proces të bisedimeve qysh në vitin 2011, proces ky që filloi si teknik, për t’u shndërruar shumë shpejt në proces politik.

Pas disa vitesh takime e bisedime në Bruksel, marrëveshja e parë e parimeve që rregullon normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë u nënshkruar më 19 prill të vitit 2013.

Por, që nga ajo kohë shumë pika të marrëveshjes nuk kanë gjetur zbatim.


Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se procesi i kaluar i dialogut, i ka lënë hapësirë palëve që të neglizhojnë zbatimin e marrëveshjeve.

“Iu është dhënë hapësirë të dyja palëve që t’i interpretojnë sipas mënyrës së tyre marrëveshjet. Kjo ka bërë që në fakt të kemi marrëveshje të cilat është e vështirë të zbatohen në terren”, thotë Krasniqi.

Sipas Krasniqit, marrëveshjet e arritura në procesin e kaluar të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, nuk e kanë pasur të përcaktuar mirë as statusin ligjor, gjë që i ka bërë të pazbatueshme.

“Marrëveshja e prillit është marrëveshje ndërkombëtare për Kosovën sepse është ratifikuar në kuvend, por nuk është e njëjtë edhe për Serbinë pasi nuk është ratifikuar në kuvend. Në fakt Gjykata Kushtetuese atje kishte thënë se është një dokument politik dhe prandaj nuk mund ta interpretonte në Serbi”, thotë Krasniqi.

Krasniqi thotë procesi i ardhshëm i bisedimeve, qoftë ai i mbështetur nga Bashkimi Evropian apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet t’i ketë të qartë objektivat dhe detyrimet finale për të dyja palët si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë.

Partnerët ndërkombëtarë të “përçarë” për dialogun Kosovë-Serbi

Përçarja e politikanëve në Kosovë, në raport me mënyrën e vazhdimit të bisedimeve, ka ndarë në dysh edhe partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, thonë njohësit e proceseve politike.

Njohësja e zhvillimeve politike, Donika Emini, thotë për Radion Evropa e Lirë se do të jetë problematike që Kosova të kthehet ne tryezën e bisedimeve pa e qartësuar se çfarë dëshiron të nxjerrë nga ky proces.

“Kemi pasur tendencë që prej 2018-s që t’i ndajmë edhe partnerët strategjikë të Kosovës në raport me dialogun dhe besoj se pjesërisht kemi arritur ta bëjmë një gjë të tillë”, thotë Emini.

Fakti se BE-ja dhe SHBA-të nuk kanë mendim të përbashkët sa i takon bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, sipas Eminit dëshmohet edhe me mosgatishmërinë e ambasadorit amerikan Richard Grenell që të diskutojë për këtë proces me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

“Sot e kemi një SHBA e cila shumë pak komunikon me BE-në. Këtu po i referohem faktit që Lajçak ka shprehur interesim të diskutojë me Richard Grenellin për Kosovën, mirëpo ky i fundit nuk është se i është përgjigjur pozitivisht apo nuk ka qenë i entuziazmuar shumë për ta vazhduar apo ndërtuar këtë marrëdhënie apo koordinim”, tha Emini.

Përçarja e brendshme për dialogun

Rifillimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë aktualisht duket i pamundur për shkak të dallimeve të mëdha mes spektrit politik në Kosovë.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi është shprehur kundër faktit që në vazhdimin e bisedimeve rolin kryesor të ketë Bashkimi Evropian. Presidenti ka kundërshtuar edhe emërimin e Mirosllav Lajçakut si përfaqësues special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Ndryshe nga presidenti Thaçi, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është shprehur i gatshëm për bashkëpunim me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Ndërmjetësimi amerikan solli dy marrëveshje

Negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit kanë ngecur që nga nëntori i vitit 2018, kohë kjo kur Qeveria e kaluar e Kosovës e drejtuar nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj vendosi tarifë prej 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Përkundër mosmarrëveshjeve për shkak të taksës, nën ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell, Kosova dhe Serbia nënshkruan dy marrëveshje, njëra për rihapjen e një linje ajrore Prishtinë-Beograd si dhe tjetra për funksionalizimin e linjave hekurudhore.