LAJMI I FUNDIT:

U zotua se do t’i bëjë 100 rrathë me karrocën në oborr, për të mbledhur fonde për të ndihmuar spitalet në Britani – 99-vjeçari i siguron 6 milionë funte

U zotua se do t’i bëjë 100 rrathë me karrocën në oborr, për të mbledhur fonde për të ndihmuar spitalet në Britani – 99-vjeçari i siguron 6 milionë funte

Tom Moore, 99-vjeç, veteran i luftës, ka arritur të grumbulloj më shumë se 6 milionë funte për Shërbimin Nacional për Shëndetësi (NHS) në Britani të Madhe, pasi dëshiron të bëjë 100 radhë në oborrin e shtëpisë dhe atë me ndihmën e një karroce, raporton BBC.

Moore i cili më 30 prill mbush 100 vjet, ka filluar sfidën e tij javën e kaluar me qëllim që të mbledh paratë për NHS Charities Together, që mbledh fonde për spitalet në mbarë Britaninë e Madhe si dhe ndihmon stafin, vullnetarët dhe pacientët e prekur me COVID-19, transmeton Telegrafi.


Ai fillimisht ishte zotuar se do të mbledh njëmijë funte pa i mbushur 100 vjet, duke shëtitur çdo ditë dhe duke bërë nga 10 rrathë në oborrin e tij në Yorkshire në veri të Anglisë.

Megjithatë pa kaluar 24 orë ai i mblodhi paratë që i kishte paraparë t’i mbledh në fillim. Por, me kalimin e ditëve ai arriti shumën prej 6 milionë funteve dhe donacionet janë duke vazhduar t’i vijnë. Deri më tani ka arritur t’i përshkoj 80 rrathë, kurse deri javën e ardhshme planifikon t’i bëjë 100.

Moore që me profesion është inxhinier i ndërtimtarisë, më parë ka qenë i angazhuar në ushtrinë britanike gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku ka shërbyer në Indi, Indonezi dhe Britani të Madhe. Më vonë është bërë drejtor i përgjithshëm i kompanisë që prodhon beton.

Ndërkaq e bija e tij Hannah Ingram-Moore, ka thënë për CNN se babai i saj çdo ditë ushtron edhe pse pas intervenimit kirurgjik në kërdhokull e ka pasur të vështirë. Megjithatë ai po sfidon veten çdo ditë, me qëllim që të mbledh para për të ndihmuar spitalet në kohën e krizës së COVID-19.

Për të sensibilizuar opinionin sa i përket mbledhjes se fondeve, i biri i saj Benji ka hapur një profil në Twitter për gjyshin e tij – i cili deri më tani ua ka rrëmbyer zemrën mbi 20 mijë ndjekësve. /Telegrafi/