LAJMI I FUNDIT:

Studentët që janë banues të konvikte kërkojnë librat dhe gjësendet e tyre, por është e pamundur që të tërhiqen

Studentët që janë banues të konvikte kërkojnë librat dhe gjësendet e tyre, por është e pamundur që të tërhiqen

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, ka njoftuar studentët banues në konviktet e Qendrës së Studentëve në Prishtinë, si dhe të gjitha palët e interesuara, se UP-ja ka pranuar me shumë seriozitet shqetësimet që janë adresuar nga studentët, pas shndërrimit të konvikteve në karantinë.

Si rrjedhojë e kësaj, rektori Dema ka kontaktuar përmes telefonit me drejtorin e Përgjithshëm të QS-së, Fatmir Sfishta, ku në emër të studentëve ka përcjellë shqetësimet për sigurinë e gjësendeve të tyre, si dhe për mundësinë e tërheqjes së atyre gjësendeve, në veçanti të librave dhe të materialeve të tjera mësimore, nga këto hapësira të shndërruara tashmë në karantinë.

“Dema u informua nga drejtori Sfishta se gjësendet e studentëve janë të siguruara, si dhe janë ndarë sipas protokolleve që mundësojnë që asnjë pronë e studentëve të mos humbet. Ndërkaq, rreth kërkesës së rektorit Dema për t’u gjetur një mënyrë që librat dhe materialet e tjera mësimore të nevojshme të kthehen tek studentët, Sfishta informoi që një gjë e tillë është e pamundur në këtë fazë, për çka kërkohet mirëkuptimi i studentëve. Në këtë situatë të krijuar pas shpërndarjes së pandemisë COVID-19 në vendin tonë, rektori Dema u sigurua që të ofroj mbështetjen e Universitetit të Prishtinës për stafin e Qendrës Studentore, si dhe kudo që ajo është e nevojshme, në mënyrë që situata e krijuar të tejkalohet me më pak pasoja për vendin”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/