LAJMI I FUNDIT:

MPJD iu bën thirrje qytetarëve jashtë vendit të lajmërohen vetëm ata që kanë urgjenca për tu kthyer

MPJD iu bën thirrje qytetarëve jashtë vendit të lajmërohen vetëm ata që kanë urgjenca për tu kthyer

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se të gjithë qytetarët që do të futen në Kosovë do të vendosen për 14 ditë në karantinë.

Ky vendim vlen për të gjithë ata që hyjnë në Republikën e Kosovës, qoftë përmes Aeroportit Ndërkombëtarë të Prishtinës, apo përmes kufijve tokësor.

“Për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19 dhe masave të cilat Qeveria e Kosovës i ka ndërmarrë për ta luftuar atë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Shëndetësisë bëjnë të ditur që secili nga qytetarët tanë që futet në Republikën e Kosovës, nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës apo kufijve tokësor, do të dërgohet në karantinë për 14 ditë, në një vend të caktuar nga Ministria e Shëndetësisë”, thuhet në njoftimin e MPJD.


Meqë kapacitetet e karantinimit janë të kufizuara, MPJD ka bërë thirrje për qytetarët jashtë vendit, që të lajmërohen për tu kthyer vetëm ata që kanë urgjenca.

“Për shkak të kapaciteteve të kufizuara të karantinimit dhe në mënyrë që mos ta rrezikoni shëndetin tuaj, të familjes suaj dhe qytetarëve të tjerë, ju bëjmë thirrje që vetëm rastet, të cilat kanë urgjenca, të paraqiten në Ambasadat dhe Konsullatat e Republikës së Kosovës, për t’u përfshirë në listën e kthimit. Gjithashtu, thirrjen e njëjtë ua bëjmë të gjithë qytetarëve, të cilët synojnë të hyjnë në Republikën e Kosovës nëpërmjet rrugëve tokësore”, thuhet në këtë njoftim. /Telegrafi/