LAJMI I FUNDIT:

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i shkruan Donald Trumpit për Kosovën

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i shkruan Donald Trumpit për Kosovën

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i shkroi një letër në fund-javë presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ku theksoi rëndësinë që ka mbështetja amerikane për procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Diplomatët shqiptarë, anëtarë të këtij Këshilli, theksuan se në këto bisedime u duhet qëndruar besnik parimeve të Planit Ahtisari mbi statusin e Kosovës.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë iu drejtua këtë fundjavë me një letër publike presidentit të SHBA-ve Donald, Trump, ku vlerësoi lart përkushtimin e administratës amerikane në përparimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.


“Në letër për presidentin Trump ndalemi te ajo që e kemi frikë se mund të ndodhë dhe që ne e shohim si një e keqe me përshkallëzim, dhe që është prekja e kufijve aktualë të Kosovës, kufij të njohur ndërkombëtarisht, dhe ajo që thuhet shpesh si këmbim territoresh. Ky do të ishte një çmim me pasoja jo vetëm për Kosovën po edhe për gjithë rajonin” – thotë Presidenti i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, Besnik Mustafaj, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”.

Këshilli i Ambasadorëve, një organizatë e formuar prej dy vjetësh nga ish ministra të jashtëm dhe ish diplomatë shqiptarë të nivelit të lartë, shprehu besimin se ky dialog Kosovë – Serbi, i lehtësuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga SHBA, ofron një mundësi të re për të dy vendet, Ndaj Këshilli e mbështet këtë proces, duke shpresuar se ai do të përfundojë me njohjen e ndërsjellët diplomatike, si dy shtete fqinj, të pavarur dhe sovrane.

“Konflikti midis Kosovës dhe Serbisë është një konflikt ende i pambyllur. Dhe SHBA si një vend kontributor i jashtëzakonshëm dhe i dorës së parë për paqen dhe stabilitetin në botë synojnë ta zgjidhin këtë problem. Sepse pa një zgjidhje përfundimtare që do të çonte në njohjen reciproke mes të dy vendeve dhe në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre nuk pritet të ketë paqe të sigurtë mes Serbisë dhe Kosovës dhe në gjithë rajonin” – tha zoti Mustafaj.

Ai veçoi nga letra për presidentin amerikan Trump se tanimë janë arritur disa rezultate premtuese me marrëveshjet mbi transportin ajror dhe hekurudhor, falë ndërmjetësimit të të Dërguarit Special, Ambasadorit Richard Grenell, ndërsa tani Kosova ka një qeveri të re VV – LDK.

“Kryeministri është i Vetëvendosjes, gjysma e qeverisë është nga Vetëvendosja, programi i qeverisë është në masë të madhe pjesë e angazhimeve elektorale të Vetëvendosjes, ndërsa kryeministri Kurti ka deklaruar se do t’i drejtojë ai negociatat me Serbinë, duke ia hequr mandatin edhe presidentit edhe parlamentit. Të gjithë këto elementë e kanë shtuar vëmendjen e SHBA ndaj Kosovës” – tha ish ministri i punëve të jashtme të Shqipërisë, Mustafaj.

Sipas Zotit Mustafaj, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë beson fort se rezultati i dialogut Kosovë- serbi do të jetë në përputhje me parimet e miratuara për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës, të mishëruar “Plani Ahtisaari”. Ai shton se ardhja në qeverisjen e Kosovës të Lëvizjes Vetëvendosja e ka rritur vëmendjen ndërkombëtare.

“Nuk mund të them se ka përshpejtuar zhvillimet, po e ka rritur vëmendjen e ndërkombëtarëve, si të BE-së edhe SHBA-ve, e posaçërisht SHBA-të janë besimplotë se gjërat do të ecin ngadalë por në drejtimin e duhur në këto negociata mes Kosovës dhe Serbisë. Tani duhet vëmendje më e madhe. Për Kosovën është fat i mirë që vëmendja vjen posaçërisht nga SHBA-të, sepse për hir të së vërtetës, garant më i madhe se sa BE-ja lidhur me rezultatet e kësaj marrëveshje dhe me zbatimin e saj janë SHBA-të” – tha zoti Mustafaj.

Këshilli i ambasadorëve shqiptarë thekson se parimet udhërrëfyese të planit Ahtisari sigurojnë integritetin territorial të Republikës së Kosovës, brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht dhe mbrojtjen e karakterit të saj multi-etnik, theksohet në letrën drejtuar presidentit Trump nga Këshilli i ambasadorëve shqiptarë.

Përqasjet alternative mbi bazën e nocionit të ri-përcaktimit ose ndryshimit të vijave kufitare sipas parimeve etnike mund të minojnë stabilitetin e Kosovës dhe vendeve të tjera multi-etnike në Evropën Juglindore.

Në trend Lajme

Më shumë
Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Lajme
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës

Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës

Kronika e Zezë
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Lajme
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Kalo në kategori