LAJMI I FUNDIT:

Zyrtarë të Policisë së Kosovës trajnohen për reagimet e para në rastet e dhunës në familje

Zyrtarë të Policisë së Kosovës trajnohen për reagimet e para në rastet e dhunës në familje

Në Prishtinë është mbajtur një trajnim i specializuar për reagimet e para të standardizuara dhe efektive në rastet e dhunës në familje për rreth 100 zyrtarë policorë të vijës së parë dhe hetues të dhunës në familje.

Ky trajnim, mbajtur nga ekspertët e EULEX-it, Roland Burgsteiner dhe Magdalena Trojca, kishte për synim që t’u mundësojë zyrtarëve policorë të vijës së parë që t’i detektojnë me kohë rastet e dhunës në familje, ta standardizojnë reagimin e parë të Policisë së Kosovës ndaj këtyre rasteve dhe të krijohet një mjedis më i sigurt.

Në fokus të këtij trajnimi ishte përmirësimi i aftësive dhe efektivitetit të reaguesve të parë në rastet e dhunës në familje në mënyrë që të sigurohen prova më të mira në vendin e ngjarjes dhe të përmirësohet cilësia dhe numri i hetimeve të suksesshme, si dhe krejt në fund të bëhet ndjekja penale dhe gjykimi i këtyre rasteve.


Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, tha se korniza ligjore dhe politike e Kosovës për dhunën në familje është e avancuar, por zbatimi aktual i ligjeve dhe strategjive mund të jetë sfidues.

“Penalizimi i dhunës në familje në Kodin e ri Penal të Kosovës të miratuar vitin e kaluar është një moment i rëndësishëm. Ndërsa Strategjia Kombëtare 2016-2020 për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje ishte një element tjetër kryesor në arkitekturën e përgjithshme për luftimin e dhunës në familje. Shpresoj që Strategjia e re dhe Plani i Veprimit për pesë vitet e ardhshme, si dhe Ligji i ndryshuar për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, i cili tani është në pritje të miratimit, mund të miratohen sa më shpejt të jetë e mundur nga qeveria e re e Kosovës”, tha Wigermark.

Majori Ramadan Ahmeti, zëvendës-shef i Policisë në Komunitet, vuri në dukje se ligjet e Kosovës janë në përputhje me standardet ndërkombëtare, por zyrtarët policorë në vijën e parë të frontit duhet t’i rrisin aftësitë e tyre për t’i trajtuar në mënyrë efektive çështjet e dhunës në familje.

“Puna e reaguesve të parë mund të kontribuojë në rritjen e nivelit të besimit në Policinë e Kosovës. Kur një zyrtar është i trajnuar, me përvojë dhe profesional, të mbijetuarit gjithashtu do t’u afrohen atyre dhe do të komunikojnë me ta më lehtë. Ne duhet t’i identifikojmë mangësitë dhe t’i adresojmë ato në mënyrën e duhur ashtu që të jemi aty për të mbijetuarit dhe të shërbejmë si një shembull i shkëlqyeshëm për shoqërinë. Prioriteti është respektimi i ligjit. Për këtë nuk ka alternativë tjetër”, tha Ahmeti.

Shefja e Njësisë së Trajnimit në Policinë e Kosovës, nënkolonel Zylfije Krasniqi, tha se Policia e Kosovës duhet të marrë mbështetje të mëtutjeshme për të reaguesit e parë në rastet e dhunës në familje.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të na ofrohen dhe të marrim pjesë në trajnime shtesë të specializuara si dhe ekspertizë të BE-së për reaguesit e parë”, tha Krasniqi. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Lajme
Zbardhen detaje nga vrasja e 43-vjeçarit në Tropojë, viktima dhe autori ishin shokë

Zbardhen detaje nga vrasja e 43-vjeçarit në Tropojë, viktima dhe autori ishin shokë

Lajme
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar

Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar

Lajme
Guri për padinë e Pecit: Absolutisht e pa logjikshme, në asnjë vend nuk mundesh me padit paditësin

Guri për padinë e Pecit: Absolutisht e pa logjikshme, në asnjë vend nuk mundesh me padit paditësin

Lajme
Philip Reeker: Dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet për administratën e Trumpit

Philip Reeker: Dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet për administratën e Trumpit

Lajme
Kalo në kategori