LAJMI I FUNDIT:

I akuzuari mohon fajësinë se në “merr jep” e shiti shporetin e vjedhur

I akuzuari mohon fajësinë se në “merr jep” e shiti shporetin e vjedhur

I akuzuari për veprën penale “blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, Vigan Makolli ka mohuar fajësinë në seancën fillestare të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Në seancën e së premtes, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Musa Mehaj, i akuzuari është deklaruar se nuk ndihet fajtor për veprën penale e cila i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pasi akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë, gjykatësja Medie Bytyqi, e ka njoftuar atë se në afat brenda 30 ditësh, mund të bëjë kërkesë për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave që gjenden në aktakuzë.


Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 22 dhjetor 2017, kishte ngritur aktakuzë ndaj Vigan Makolli për veprën penale “blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” nga neni 345, paragrafi 2 të KPRK-së.

Ai akuzohet se më 29 nëntor 2017, në rrugën “Agron Rrahmani” në Prishtinë, përmes web faqes “Merrjep.com”, në mënyrë të kundërligjshme mbanë ose fsheh shporetin elektrik të markës “Virpol”, pronë e të dëmtuarit Arton Fazliu, të cilit i është vjedhur nga banesa e prindit të tij në Prishtinë, e të cilin shporet ia ka shitur një personi nga Mitrovica, përmes web faqes “Merrjep”, për të cilin i akuzuari e ka ditur apo mund ta ketë ditur se është përfituar në mënyrë të kundërligjshme, me ç’rast të dëmtuarit i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm material. /Betimipërdrejtësi/