LAJMI I FUNDIT:

Rrëfimi i hoxhës që varrosi të masakruarit e Reçakut: Policia serbe më urdhëroi t’i shpërndajmë kufomat në tri lokacione

Rrëfimi i hoxhës që varrosi të masakruarit e Reçakut: Policia serbe më urdhëroi t’i shpërndajmë kufomat në tri lokacione

Isa Tërshani ishte imam në xhaminë e Shtimes kur ndodhi masakra në Reçak.

Tërshani, në “Dossier D” në RTV Dukagjini ka rrëfyer momentet e tmerrshme të atyre ditëve.

Hoxha thotë se Reçaku ishte përgjysmë i boshatisur ditën kur ndodhi masakra pasi granatime kishte pasur edhe më parë.


“Ne për masakrën morëm vesh ditën e nesërme pas vizitën se Ëalkerit. Në mbrëmje filloi beteja për mbrojtjen e kufomave”.

Tërshani thotë se pasi forcat serbe kishin marrë kufomat për gjoja të bërë ekspertizë, e kishin ftuar atë në bisedë informative për t’i dhënë disa porosi.

“Kur u futa në stacionin policor më thanë se do të më dërgojnë të komandanti. Aty pashë paramilitarë me maska me pamje që të tmerronin. Komandanti më tha: Hoxhë duhet t’i varrosni kufomat në tri lokacione”.

Hoxha thotë se serbët me këtë vendim i frikësoheshin mbledhjes së madhe të njerëzve gjatë ceremonisë së varrimit dhe donin të fshihnin gjurmët.

Ai shton më tej se brenda tri ditëve serbët atij i bënë presion të madh për të varrosur viktimat në tri pjesë.

“Një grup të kufomave ma solli policia serbe në xhaminë e Shtimes dhe më thanë bëre detyrën ti. Unë u thashë se nuk mund t’i pranoja ato”.

Hoxha i cili ishte pjesë e Këshillit të varrimit thotë se në varrim nuk u lejua që të merrnin pjesë ushtarët e UÇK-së me uniformë.

Ai thotë se edhe gjatë ceremonisë së varrimit ishin nën vëzhgim nga serbët pasi vija ajrore ishte shumë e afërt./Telegrafi/