LAJMI I FUNDIT:

Në Prishtinë mbahet edicioni i dytë i konferencës ndërkombëtare mbi të dhënat e hapura “GOT Data”

Në Prishtinë mbahet edicioni i dytë i konferencës ndërkombëtare mbi të dhënat e hapura “GOT Data”

Open Data Kosovo në bashkëpunim me fondacionin ePanstwo, organizatë kjo që operon në Poloni, më 6 dhjetor 2019, organizojnë konferencën ndërkombëtare mbi të dhënat e hapura dhe iniciativat teknologjike në Kosovë dhe Evropë, titulluar “GOT_Data”.

Kjo konferencë një-ditore do të mbledh organizata joqeveritare nga Evropa, përfaqësues të institucioneve publike dhe organizatave ndërkombëtare për të diskutuar mbi të dhënat e hapura dhe nismat qeveritare, zbatimin e tyre të suksesshëm dhe ndikimin e projekteve teknologjike në politikat e vendeve përkatëse.


Konferenca synon të mbledhë mbi 100 pjesëmarrës: ekspertë, përfaqësues të OJQ-ve, aktivistë, zyrtarë të administratës publike dhe publikun më të gjerë të interesuar për këtë temë.

Në këtë konferencë do të mbahen katër sesione që do të shtjellojnë temën mbi prokurimin publik në të dhënat e hapura, gazetarinë e bazuar në të dhëna, inteligjencën artificiale e politik-bërjen dhe lidhja e urave bashkëpunuese me politik-bërësit.

Sesioni 1 – Prokurimi i bazuar në të dhënat e hapura (Open Contracting), ky sesion synon që të promovoj publikimin e kontratave të nënshkruara publike në formatin e të dhënave të hapura (Open Contracting Data Standards) dhe se si ato mundësojnë mbajtjen e qeverive përgjegjëse mbi shpenzimet të cilat bëhen me paratë publike.

Sesioni 2 – Gazetaria e bazuar në të dhëna: Mënyra e re për të luftuar keq-informimin? Gazetaria e bazuar në të dhëna përpiqet të arrijë një nivel tjetër për të informuar publikun, duke i ndihmuar atyre, grupeve të ndryshme dhe individëve të veçantë. Gazetaria e bazuar në të dhëna është një formë më kredibile e hetimit pasi forcon çështjet e shkruara nga një gazetar duke rezultuar kështu në një besim më të madh nga qytetarët.

Sesioni 3 – Inteligjenca Artificiale dhe politik-bërja: Sfidat dhe Zgjidhjet; Vendimmarrja e automatizuar është një sistem që përdor inteligjencën artificiale për të ndihmuar ose zëvendësuar një proces të vendimmarrjes që momentalisht përfundohet nga njerëzit. Ne jo vetëm që duhet të diskutojmë mbi sfidat, por gjithashtu të arrijmë zgjidhje se si të rregullojmë këtë sferë.

Sesioni 4 – Si të krijojmë ura bashkëpunimi me politik-bërësit? Një nga misionet thelbësore të organizatave me fokus teknologjinë është t’i mbështesë qeveritë në ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët e tyre. Gjatë punëtorisë ne do të hartojmë dhe vlerësojmë modelet kryesore të bashkëpunimit midis sektorit të teknologjisë dhe qeverisë, duke u përqendruar veçanërisht në kushtet që secili prej këtyre modeleve kërkon të funksionojë.

Për të qenë pjesë e kësaj konference kontaktoni Open Data Kosovo, përmes email adresës info@opendatakosovo.org. Për më shumë rreth folësve gjatë sesioneve dhe biografitë e tyre, mund të lexoni më shumë në www.got-data.org.