LAJMI I FUNDIT:

Zvicra dërgon ekip ekspertësh në Shqipëri, pas tërmeteve të fuqishme

Zvicra dërgon ekip ekspertësh në Shqipëri, pas tërmeteve të fuqishme

Si përgjigje ndaj tërmetit shkatërrues dhe me kërkesë të qeverisë shqiptare një ekip ekspertësh nga Departamenti i Ndihmës Humanitare të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) ka arritur në Shqipëri.

Në njoftimin  e bërë për media nga ambasada e Zvicrës në Shqipëri thuhet se, një ekip me 15 specialistë të mobilizuar nga qeveria zvicerane janë në Shqipëri për të ndihmuar vendin me pasojat e tërmetit më të rënde në dekadat e fundit.

Ekipi përfshin ekspertë në dy fusha: një inxhinierë që vlerësojnë gjendjen e ndërtesave: dy ekspertë që vlerësojnë nevojat dhe planifikojnë veprimet në përgjigje të tyre, transmeton Telegrafi.


“Programi ynë i bashkëpunimit në Shqipëri duhej patjetër të përfshinte një përgjigje ndaj tërmetit tragjik që goditi të martën. Duke parë seriozitetin e gjendjes qeveri zvicerane zgjeroi përpjekjet duke sjellë misionin e parë me ekspertë të cilët do të vlerësojnë nevojat, do të japin asistencë të menjëhershme dhe do të propozojnë masa afat-gjata pas tërmetit”, ka thënë ambasadori zviceran në Shqipëri Adrian Maître.

“Zvicra mbështet Shqipërinë jo vetëm në kohëra të mira, por edhe në momente të vështira”, tha Sebastian Eugster, udhëheqës i ekipit të misionit zviceran dhe Zv. Kreu për Ndihmën Humanitare në Ministrinë e Jashtme të Zvicrës.

Pas mbërritjes misioni zviceran pati një takim informues me Ambasadorin Maitre, stafin e ambasadës dhe përfaqësues nga projekti ‘Bashki të Forta’.

Ata u ndanë në grupe dhe vizituan disa vendndodhje në Durrës, Laç dhe Thumanë. Asistence e menjëhershme u dha tek hotel Lubjana në Durrës inxhinerët zvicerane kontrolluan stabilitetin e ndërtesës dhe këshilluan mbi mundësinë e shembjes për shkak të elementeve jo të qëndrueshëm që ka ndërtesa.

“Ekipi u takua me komisionet e emergjencës dhe autoritetet vendore në Durrës, Tiranë dhe Laç, dhe filluan vlerësimin e nevojave për familjet e dëmtuara. Në ditët në vazhdim misioni do të vendosë përparësitë dhe kohëzgjatjen e asistencës zvicerane. Furnizime, pajisje dhe artikuj jo-ushqimore pritet të mbërrijnë në ditët e ardhshme.

Zvicra mbështet zhvillimin e Shqipërisë për më shumë se 20 vjet përmes një programi të gjera bashkëpunimi në shumë nga reformat e vendit. Asistenca në emergjenca dhe fatkeqësi vjen si zgjerim i angazhimit aktual zviceran”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se,p ërgjigja e fundit ndaj emergjencës së tërmeteve në Shqipëri koordinohet midis ambasadës zvicerane në Shqipëri, Ministrisë së Jashtme të Zvicrës, Departamentit të Ndihmës Humanitare në Agjencinë për Zhvillim dhe Bashkëpunim, si dhe me projektet me financim zviceran në vend, dhe me Fondacionin Zviceran për Inovacion, SFI, i bazuar në Tiranë.

Ndryshe, si pasojë e tërmeteve të fuqishme në Shqipëri kanë humbur jetën 41 persona si dhe janë lënduar 650 tjerë. /Telegrafi/