LAJMI I FUNDIT:

Qeveria gjermane gjatë 20 vjetëve në Kosovë dhuroi 600 milionë euro, përfituan kompanitë publike dhe private

Qeveria gjermane gjatë 20 vjetëve në Kosovë dhuroi 600 milionë euro, përfituan kompanitë publike dhe private

Në kuadër të angazhimit 20-vjeçar në Kosovë, Shoqata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), ka prezantuar ndihmën e saj dhe qeverisë gjermane që e kanë bërë për Kosovën në disa fusha, ku janë përfshirë një numër i madh i kompanive publike dhe sektorit privat.

Janë rreth 600 milionë euro që qeveria gjermane i ka ndarë në këto dy dekada të veprimit në Kosovë, duke ndihmuar dhe ngritur sektorët, si: angazhimi dhe punësimi i të rinjve, bashkëpunimi ekonomik, efikasiteti i energjisë, faza e emergjencës dhe rindërtimit në Kosovë, mbështetja e ri – integrimit, përmirësimi i shërbimeve të menaxhimit të mbeturinave, sektori i arsimit bazë, promovimi i turizmit, etj.

Ndihma e qeverisë gjermane për Kosovën ka qenë në fusha dhe institucione të veçanta, duke ndihmuar projektin e ngrohjes qendrore në Prishtinë, ku projekti i Bashkëpunimit Financiar Gjerman (BF), përmes Bankës Gjermane për Rindërtim (KfW) ka mundësuar kyçjen e sistemit të ngrohjes qendrore në Prishtinë me termocentralin Kosova B. Me këtë termocentrali është shndërruar në termocentral kogjenerimi. Banka Gjermane për Rindërtim (KfW) bashkë me donatorë tjerë mundësuan realizimin e këtij projekti në shumë prej 37 milionë eurosh. Projekti ka përfunduar në vitin 2014, dhe që nga ajo kohë Termokosi ka ofruar shërbime të ngrohjes qendrore bazuar në kogjenerim për mbi 63 mijë klientë të kyçur në rrjet. Ndikimi pozitiv i këtij projekti në kushtet jetësore dhe ambient është i paprecedent. Për herë të parë pas 30 vitesh shërbimi i ngrohjes qendrore ofrohet pa ndërprerje 24/7 gjatë tërë dimrit dhe me kosto shumë më të ulët. Për më tepër, duke mos djegur mazut për të operuar sistemin e ngrohjes, janë arritur kursime të CO2 prej 80 mijë ton/vit.


Qeveria gjermane, ndër të tjera, ka mbështetur edhe projektin e Fabrikës së Ujërave të Zeza në Prizren, i cili do të ketë kapacitet për 50 mijë banorë. Projekti përmban edhe komponente tjera siç janë: ndërtimi i fabrikës së re të ujërave të zeza, ndërtimi i kolektorit të ri dhe rehabilitimi i kolektorit të vjetër në qytet.

Më tutje, projekti përmban masa për rehabilitimin e rrjetit të ujërave të zeza në pikat kritike në qytetin e Prizrenit. Kostoja totale, të vlerësuara, të projektit arrijnë afërsisht 22.5 milionë euro. Për të ulur koston e prodhimit të ujit KfW është duke implementuar projekt shtesë të qeverisë gjermane me fond rajonal për efikasitetin e energjisë. Projekti është 2.5 milionë euro grant. Ndërtimi i tubit të ri do të ndryshonte sistemin nga pompimi në gravitet të zonës së caktuar në qytet.

Një projekt tjetër ku janë investuar mjete të konsiderueshme nga ana e KfW është projekti i ujësjellësit dhe kanalizimit në Prishtinë, ndërmarrje e cila ishte ballafaquar më probleme të mëdha të furnizimit të qytetarëve dhe bizneseve me ujë të pijshëm.

Për shkak të një infrastrukture  të përkeqësuar me humbje të mëdha të ujit dhe disa periudha të thatësisë që kishin lënë rezerva uji vetëm për tre muaj, furnizimi me ujë për qytetarët ishte kufizuar në 4 deri në 12 orë në ditë.

Financimi në fazën e parë ka qenë 6.5 milionë euro investime në infrastrukturë dhe 1.5 milionë euro në asistencë teknike. Në faqen e dytë të kredisë për zhvillimin janë ndarë 6 milionë euro. Punimet u finalizuan në mars të vitit 2018.

Në kuadrin e mbështetjes së institucionit të Bankës Gjermane për Rindërtim përmes projektit Bashkëpunimit Financiar Gjerman, është ndihmuar edhe qendra grumbulluese për pemë e perime “Agro Celina”, kompani private, e cila  ka arritur të hap një pikë grumbulluese ku po grumbullohen pemët dhe perimet e fermerëve tjerë të atij rajoni. Kompania është klient i njërës prej bankave komerciale në Kosovë, dhe gjysmën e kredisë që e ka huazuar kompania, si garant ka qenë FKGK.

FKGK është fond i cili është entitet i pavarur, vendor me karakter zhvillimor, i cili ofron garanci kreditore për institucionet financiare për të mbuluar 50 për qind të riskut të kredive të Ndërmarrjes Mikro, të Vogla, dhe të Mesme (NMVM).

FKGK-ja në bashkëpunim me KfW-në ka lansuar Agro-Dritaren, e cila është një linjë e re e garancisë e cila do të operojë brenda FKGK-së që synon të përkrah agrobizneset duke garantuar kreditë për këtë sektor. Kjo linjë e garancisë që është financuar tërësisht nga Qeveria Gjermane përmes KfW-së në vlerë prej 4.5 milionë euro do të përkrah kreditimin e agrosektorit, si njëri prej sektorëve më të rëndësishëm.

Një kompani tjetër private, e mbështetur nga bashkëpunimi gjermano – kosovar, është veraria BIOPAK LL.C, kompani private e themeluar në vitin 2002. BIOPAK LLC ndodhet në Rahovec. Kompania BIOPAK LLC ka filluar me kapacitet 800 HL, ndërsa sot ka kapacitet deri 22000 HL. Produktet e BIOPAK shpërndahen në tregun kosovar, dhe që nga viti 2010, ka filluar të eksportoj në tregun evropian, ku tash BIOPAK eksporton gati 90 për qind të prodhimit vjetor.

Kjo kompani është klient i njërës prej bankave komerciale në Kosovë, ku ka huazuar kredi prej 230 mijë eurosh dhe është përdorur për linjën që përdoret në mbushje.

Si shkak i bashkëpunimit gjermano – kosovar, menjëherë pas luftës në Kosovë, GTZ aso kohe, GIZ-i i tanishëm, kishte rënë në kontakt me pronarin e kompanisë BYLMETI, Ymer Berisha, i cili ndodhej në atë kohë para linjës prodhuese plotësisht të shkatërruara dhe të vjedhura. Për të bërë të mundur fillimin e prodhimit sa më shpejtë që të ishte e mundur.

GTZ pat mundësi që një afat shumë të shkurtër t’i sigurojë BYLMETIT 3 kamionë të vegjël, 3 cisterna qumështi, pajisje për ftohje, bidonë portativ qumështi, pajisje për paketim dhe disa pajisje laboratorike.

Pas asistencës nga Qeveria Gjermane, por edhe asistencës nga donatorët tjerë, bazuar në eksperiencën profesionale dhe shpirtin ndërmarrës të pronarit, BYLMETI tashmë është zhvilluar në kompani moderne e cila punëson mbi 70 punëtorë. BYLMETI bashkëpunon me mbi 300 fermerë në tërë Kosovën. Në këtë mënyrë qumështorja përpunon rreth 25.000 litra qumësht në ditë duke prodhuar mbi 30 produkte të ndryshme me standarde të larta të prodhimit. Fabrika ka tani edhe pajisjet bashkëkohore për trajtimin e ujërave të zeza, duke bërë që prodhimi të jetë miqësor me mjedisin. BYLMETI eksporton produktet e veta në Shqipëri dhe Zvicër. Për të rritur edhe më shumë prodhimtarinë, BYLMETI ka nisur një investim të përbashkët me investitor nga Holanda të interesuar për investime në përpunim të qumështit në Kosovë. Qëllimi i investimit është ngritja e një ferme për prodhim të qumështit me rreth 100 lopë qumështore.

Qeveria gjermane në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, hapësirën ku kishin qëndruar trupat gjermane në Prizren, pas largimit të tyre, do ta kthejnë në Park të Inovacionit dhe Trajnimit. Hapësira do të kombinojë një hapësirë për kompani vendore dhe ndërkombëtare, ofrues të aftësimit profesional, institucione akademike, institucione qeveritare dhe organizata joqeveritare.

Ideja thelbësore e parqeve të ngjashme – të ashtuquajturat Parqe të Shkencës dhe Teknologjisë (STP) – në vende të tjera, përfshirë Gjermaninë, është krijimi i një hapësire të përbashkët për kompani dhe akademikë, në mënyrë që kompanitë të përfitojnë nga njohuritë e akademikëve, dhe akademikët të përqendrohen në hulumtimet që janë të rëndësishme për biznesin.

Meqenëse punë kërkuesve në Kosovë shpesh ju mungojnë shkathtësitë praktike të punës, ITP do të ofrojë një komponent të aftësimit profesional, i cili nuk është tipik për STP-të e tjerë. Zgjedhja e sektorit: Për të siguruar që shkenca, trajnimi dhe kompanitë të përshtaten së bashku dhe të krijojnë sinergji, ITP do të pranojë aplikime nga sektorë të veçantë dhe tema ndërkufitare për pjesëmarrje në park. Ekzistojnë tre sektorë të cilët janë zgjedhur bazuar në potencialin e tyre për të krijuar vende pune dhe rritje ekonomike në Kosovë, së bashku me përshtatjen e tyre me përparësitë e Qeverisë së Kosovës dhe, në mënyrë ideale, gjithashtu një ndeshje me ato fusha që Kosova dhe Gjermania tashmë kanë prioritet në bashkëpunimin e tyre.

Këta sektorë janë: Kompani me bazë në sektorin e Teknologjisë, 2 Bujqësi – Përpunimi i Ushqimit, dhe 3 – Industritë Kreative dhe Kulturore.

Qeveria gjermane gjatë kësaj periudhe të veprimit në Kosovë, përmes GIZ-it ka punuar ndër të tjera ngushtë edhe me Komunën e Vushtrrisë që nga korriku i vitit 2017, kur është nënshkruar Memorandumi i Mirëkuptimit midis projektit dhe kësaj komune.

Objektivi kryesor i bashkëpunimit me Komunën e Vushtrrisë është forcimi i kapaciteteve komunale në fushën e menaxhimit të mbeturinave. Për projektin, komuna e Vushtrrisë ka qenë shumë e rëndësishme, meqë është njëra ndër komunat e para në vend që ka qenë e gatshme të iniciojë dhe zbatojë reforma në fushën e menaxhimit të mbeturinave (legjislative, duke e kompletuar kornizën ligjore komunale dhe duke e shtuar transparencën në këtë sektor përmes përdorimit të softuerit për faturim dhe kontabilitet, çfarë ka çuar në sistemin e duhur të raportimit). Për më tepër, komuna e Vushtrrisë ka punuar në mënyrë shumë efikase me ndërmarrjen publike “Uniteti” për ta siguruar një shkallë të lartë të mbulimit me shërbime të mbeturinave. Gjatë vitit raportues 2018, Komuna e Vushtrrisë ka pasur shkallë të mbulimit me shërbime prej 100 për qind, që në krahasim me vitin 2017 përbën një rritje prej 49 për qind.

Ndër të tjera, ndihma e Qeverisë gjermane gjatë këtyre dy dekadave të veprimit në Kosovë të GIZ—it, ka ndihmuar edhe angazhimin e femrave në biznes, siç është rasti me ndihmën që i është dhënë Sadije Bekteshit, një rrobaqepëse 38 vjeçare me shumë përvojë, e cila aktualisht drejton një biznes në Obiliq.

Në shkurt të vitit 2015, ajo u përfshi në migracionin masiv të qytetarëve kosovarë drejt Gjermanisë, edhe pse ishte në gjendje të gjeneronte të hyra nga shërbimet e saja të rrobaqepësisë.

Pas gjashtë muajsh të kaluar në Gjermani pa punuar, por vetëm duke marrë ndihmë nga autoritetet gjermane, ajo mësoi se zgjidhja më e mirë do të ishte kthimi vullnetar në Kosovë, përfshirja në programin e riintegrimit për të kthyerit, dhe hapja e një biznesi që i përshtatet në mënyrë të përsosur shkathtësive dhe përvojës së saj.

Me marrjen e grantit prej 3,000 eurosh nga qeveria e Kosovës dhe qeveria gjermane përmes Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, Sadija kishte blerë pajisjet themelore, por nuk i kishte mundësitë ta fillonte idenë e saj të biznesit pa ndihmën financiare të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal (MZHR). Për ta marrë këtë grant, përfituesja u ndihmua nga kompania e konsulencës D&D Business Support Center, e cila e ndihmoi që nga faza fillestare deri në finalizim, që ishte hapja e lokalit së saj të biznesit si një mini-fabrikë.

Në kuadër të ndihmës 20 vjeçare të GIZ-it në Kosovë, është përkrahur edhe kompania që merret me prodhimin e mobileve të drurit “Elnor”, kompani e themeluar në vitin 2007. Ofron një gamë të gjerë të produkteve me shumë stil dhe vlerë. “Elnor” është e përkushtuar në zhvillimin e kapitalit human dhe investimin e prodhimit modern të teknologjisë. Produktet e kësaj kompanie cilësohen si më të mirat në rajon në veçanti kur flitet për mobile të drurit.

Kjo kompani ofron produkte të ndryshme siç janë: karriget, tavolinat, kuzhinat, dhomat e gjumit, komodina për televizor dhe interier të drurit. Është e specializuar në prodhimin e karrigeve dhe ka në dispozicion mbi 60 modele të karrigeve.

Hapësira ku ushtron veprimtarinë “Elnor” shtrihet në 600 m2 dhe procesit i prodhimit të produkteve është si në vijim:

Deri në 60,000 karrige në vit

1,000-2,000 tavolina në vit

150-250 kuzhina në vit

Mbi 17 për qind e prodhimit janë të kontraktuara për hotele, bare dhe restorante. Ajo ka për qëllim cilësinë e produkteve të prodhuara dhe bashkëpunon ngushtë me qeverinë gjermane siç janë: Deutsche Gesellschaft fur Internationale Zusammenarbeit (GIZ) përmes Ministrisë Federale gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ) dhe Asociacionin e Drurit të Kosovës (ADK) dhe atë që nga viti 2007.

“Elnor” ka arritur të krijoi partneritet me kompani evropiane, kurse që nga viti 2007, GIZ Kosovë ka qenë një partner mbështetës i pandashëm, duke shtyrë para “Elnor” në rritjen e eksportit përgjatë viteve. Në vitin 2007, ka nënshkruar kontratën e parë për eksport dhe pjesë e këtij suksesi ka qenë gjithashtu GIZ Kosovë.

Një tjetër projekt që e ka mbështetur qeveria gjermane, respektivisht GIZ-i, është Qendra e Informacionit të Turizmit në Prizren, e cila operon si një partneritet publik midis Komunës së Prizrenit si pronare e zyrës dhe agjencisë private në natyre “Sharri Eco Tour”, si një ofrues i shërbimit.

Kjo qendër është themeluar në korrik të vitit 2016 dhe ofron informacione turistike dhe aktivitete të ndryshme turistike siç janë shëtitje, çiklizëm, ceremoni tradicionale edhe alpinizëm.

Që të dyja “Qendra e Informacionit të Turizmit” dhe “Sharri Eco Tour” janë përkrahur nga Qeveria gjermane përmes GIZ, me qëllimin e vetëm që të promovohet turizmi malor dhe të gjenerohen të hyra dhe të hapen mundësi të reja për punësimin e banorëve të rajonit të Sharrit. Në vitin 2017, Qendra është përkrahur për përmirësimin e shërbimeve duke furnizuar zyrën me pajisje në kuadër të projektit “Future prospects through mountain tourism” dhe është përfshirë në zhvillimin e turizmit transnacional të alpinizmit.

Sektori i arsimit ka qenë njëra nga fushat që është mbështetur nga GIZ-i, e Shkolla Dixhitale në kryeqytet është një nga ato kompani private që ka marrë përkrahjen e qeverisë gjermane.

Kjo shkollë ofron kurse të teknologjisë dhe programimit për të rinjtë të moshës 7 deri në 18 vjeç.

Është themeluar në vitin 2016 në Prishtinë nga dy të rinj entuziast të teknologjisë dhe biznesit Hana Qerimi dhe Darsej Rizaj. Kurikula unike që zhvillohet nga stafi i Shkollës Dixhitale është akredituar nga Ministria e Arsimit në Kosovës që u lejon të rinjve që për herë të parë në histori të çertifikohen si programerë të rinj.

Misioni i Shkollës Digjitale është edukimi i të rinjve në programim dhe aftësi në shkenca kompjuterike dhe përgatitje për punë në të ardhmen, derisa vizioni është që ta bëjmë Shkollën Dixhitale të qas’shme për të gjithë fëmijët.

Deri më tani Shkolla Digjitale ka 18 lokacione aktive të Shkollës Dixhitale në Kosovë, Gjermani, Slloveni, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje e Hercegovinë. Kompania e parë dhe e vetme në Kosovë që ofron shërbime në edukim për tregun ndërkombëtar. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Lajme
“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

Sociale
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Kalo në kategori