LAJMI I FUNDIT:

Petrit Kozeli, një këpucëtar ambasador!

Petrit Kozeli, një këpucëtar ambasador!

Përpara viteve 1990 e ushtronte profesionin e fotografit. Madje ka pasur fatin të jetë dëshmitar i momenteve të rëndësishme në kapërcyellin e ndërrimit të sistemeve në Shqipëri.

Petrit Kozeli ka realizuar fotografitë e pasaportave të të gjithë shqiptarëve që u futën brenda kangjellave të Ambasadës gjermane.

“Ndërmarrja e Shërbimeve Komunale më ngarkoi mua ta bëja këtë punë. Janë momente të pashlyeshme nga memoria. Ende e kam si plagë brenda meje. Më kujtohen gra, burra, të moshuar që kacavirreshin nëpër kangjella. Ishte e tmerrshme të shihje këtë pamje, të ndodhte në vendin tënd atë që e kishe mbajtur si një Parajsë”, tregon Kozeli.


Ai nuk do të largohej kurrë nga Shqipëria. Sigurisht jo në atë mënyrë. Jo pa një vizë në pasaportë, siç i kishte thënë ambasadorit Torquato Cardilli. Ajo që do ta largonte nga Tirana ishte dhembshuria dhe detyra prindërore: shëndeti i të birit të mitur që kishte nevojë për një diagnostikim dhe kurë më të specializuar. Në një kohë kur duheshin muaj për të marrë një vizë italiane, ai do ta merrte brenda fare pak ditësh. Ishte vetë ambasadori italian që do të hynte garant për të.

U nis drejt Italisë vetëm për 15 ditë, por u rikthye sërish me një kontratë pune për të ndjekur shëndetin e të birit. Fati e deshi që të vendosej në Mantova, në këtë qytet mikpritës, ku tashmë ndihet si në shtëpinë e tij. Pa e lënë profesionin e fotografit, ai fitoi një tjetër – atë të këpucarit.

Sot ka një dyqan në “Via Orefici”, ku hyjnë e dalin klientë që Petriti i pret e përcjell me buzë në gaz dhe me një batutë gjithmonë gati. Nuk ka banor në atë zonë që të mos flasë me dashamirësi për të. Është bujar. Shërbime të vogla i kryen edhe falas dhe pa dyshim klientët do të kthehen sërish aty.

Dyqani i tij është fort mirë i dallueshëm prej vitrinës, ku janë ekspozuar dy palë këpucë, modeluar me ngjyrat e flamujve italian dhe shqiptar.

“Ishte si një mesazh brenda meje: ‘Të ecim drejt një Italie më të mirë dhe më të zhvilluar’. Kjo të thoshte ‘me mbath’, ‘me ec’… Kështu lindi ideja për të realizuar këpucët me flamurin italian. Ishte një shenjë mirënjohjeje për këtë vend që më mikpriti, ku nuk ndjeva asnjëherë racizëm”.

Nuk janë këpucë për t’u shitur, por për të dëshmuar mirënjohje dhe një kërkesë simbolike për të qenë krenarë për vendin e vet. Por, do të ishin ato këpucë që do ta bënin të njohur, që do të zbrisnin te ai artistë, gazetarë e politikanë. Mjaftuan vetëm pak minuta, që njerëzit të viheshin ne radhë për të bërë fotografi.

“Më erdhën nga Gazeta e Mantovas dhe më kërkuan t’i hiqja nga vitrina, pasi donin ekskluzivitetin. Mjaftoi ky shkrim që të sillte në dyqanin tim prefekten e Mantovës e cila u kujdes personalisht që këpucët t’i shkonin presidentit të Republikës dhe menjëherë me vjen falënderimi bashkë me urdhrin ‘Cavaliere Ufficale-Al merito della Repubblica Italiana’. Nëse këpucët me flamurin italian i realizova për tre muaj, për atë shqiptar m’u deshën 14 syresh. Ka qenë e vështirë për të realizuar shqiponjën, derisa eksperiment pas eksperimenti arrita ta realizoj përmes një teknike ‘tatuazhi’”.

Ishin pikërisht një pale të tilla që shkuan edhe te Papa Françesku, që do ta bënin atë edhe më të famshëm.

“Kur ia nisa Shenjtërisë së tij, nën moton ‘Ecim së bashku’, kaluan muaj deri sa të vinin këtu dy sekretarë të vetë Papës. Më duhet t’jua them se mesazhi im nuk kishte shkuar i plotë në Vatikan. Bashkë me këpucët unë i kisha dërguar një letër, ku ia shpjegoja se përse i kisha realizuar këto këpucë. Një letër që nuk i kishte mbërritur. Kur një nga sekretarët e lexoi, më tha se do t’ia linte mbi tavolinë dhe do të kujdesej që ai ta lexonte, pasi Papës i shkonte një dhuratë në një minutë… imagjinoni…! Dhe kështu ndodhi që vetëm pak ditë me vonë vjen edhe vlerësimi nga Papa Francesku”.

Mes gjithë vlerësimeve që Kozeli ka marrë, është edhe ai “Ambasador i Kombit” të cilin ia dorëzoi vetëm pak ditë më parë ambasadorja e Shqipërisë në Romë, Anila Lani, në prezencën edhe të Ministres së Kulturës, Elva Margaritit, e ndodhur në Mantova për “Festivaletteratura 2019”. Me një motivacion, që vlerësonte kontributin e tij si një qytetar model evropian dhe si një urë lidhëse paqeje në botë, Kozeli tanimë është ambasadori “de jure” i Shqipërisë, që modestish do t’u japë shembullin vendasve dhe të ardhurve, të mos harrojnë asnjëherë rrënjët e origjinës. /Marrë nga rubrika e Ministrisë së Kulturës, “Sekretet e Mjeshtërisë”/