LAJMI I FUNDIT:

Ushtria e Hapësirës, Trump: Do të krijohet shumë shpejt

Ushtria e Hapësirës, Trump: Do të krijohet shumë shpejt

Ishte një hap i vogël për njeriun, por një hap gjigant për “Trampistët”.

Donald Trump, nga kopshti i trëndafilave në Shtëpinë e Bardhë, premtoi se do të krijojë një ushtri me luftëtarë hapësinorë.

Ai organizoi një ceremoni me rastin e krijimit të komandës hapësinore në kuadër të ushtrisë.


“Është diçka e madhe. Hapësira është fronti i ardhshëm i luftës dhe unë mendoj se kjo është e dukshme për këdo”, tha Donald Trump.

Trump, që ka treguar pak oreks për luftërat e huaja apo angazhimin kundër ndryshimeve të klimës, duket se është më i shqetësuar për kërcënimet që vijnë nga jashtë tokës.

“Rreziqet për vendin tonë evoluojnë në mënyrë konstante dhe ne duhet të evoluojmë po ashtu. Tani, ata që duan të dëmtojnë Shtetet e Bashkuara, kërkojnë të na sfidojnë në hapësirë. Dhe kjo do të jetë një lojë krejt e ndryshme”, u shpreh Trump, përcjell tch.

Operacionet e komandës hapësinore pritet të përfshijnë edhe mundësimin e navigimit të bazuar mbi satelitët dhe komunikimet për trupat në fushë, duke siguruar paralajmërime për lansime raketash dhe mbrojtje nga ndonjë ndërhyrje e mundshme ruse apo kineze.

Trump tha se forca e tij hapësinore, do të krijohet shumë shpejt, si dega e gjashtë e forcave të armatosura amerikane.

Në të vërtetë, forca hapësinore, që do t’i bashkohet ushtrisë, marinës, forcës ajrore, marine corps dhe rojes bregdetare, si shërbim i ndarë, nuk e ka marrë ende miratimin e kongresit, por çështja do të diskutohet pas përfundimit të pushimeve verore.