LAJMI I FUNDIT:

Seanca të reja gjyqësore për rastet “Tenderët” dhe “Dhuna në Qendër”

Seanca të reja gjyqësore për rastet “Tenderët” dhe “Dhuna në Qendër”

Në Gjykatën Penale në Shkup për sot janë planifikuar seanca të reja për dy lëndë të PSP-së “Tenderët” dhe “Dhuna në Qendër”.

Lëndën për “Dhunën në Qendër” që ka ndodhur në qershor të vitit 2013, e udhëheq gjykatësi Dushan Josifov, ndërsa përfaqësues i aktakuzës është Gavrill Bubevski, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në këtë rast të akuzuar janë disa persona, në mesin e të cilëve Nikolla Gruevski, Mile Janakieski, si dhe ish-këshilltarja e OBRM-PDUKM-së Daniella Rangellova, si dhe tetë persona tjerë.


Ndërsa në rastin “Tenderët” e akuzuara e parë është ish-ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançeska-Milevska.

Kjo lëndë udhëhiqet nga gjykatësi Osman Shabani dhe ndodhet në procedurën e dëshmive.

Sipas aktakuzës, disa nga punët ndërtimore në Muzeun e OBRM-PDUKM-së janë kryer në favor të personit juridik “Beton” nga Shtipi. Para njoftimit për dhënien e një kontrate dhe para se të vazhdohet me procedurën, në kundërshtim me Ligjin për shpallje publike, Kanceska-Milevska, përmes diskutimeve me Drejtorin e Përgjithshëm të Ndërmarrjes së Ndërtimit “Beton” nga Shtipi, urdhëroi që Muzeu të vazhdojë të funksionojë, ku ndërtimi ishte kryer pas një kontrate të lidhur më parë të prokurimit publik.