LAJMI I FUNDIT:

Tre zyrtarë shqiptarë shpallen “persona non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Tre zyrtarë shqiptarë shpallen “persona non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Departamenti i Shtetit vendosi sot kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako në listën e personave që u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara së bashku me familjen. Në njoftim theksohet se arsyeja e kësaj mase është përfshirja e tij në raste të mëdha korrupsioni.

Sipas ligjeve amerikane, kur Sekretari i Shtetit ka informacione të besueshme se një zyrtar i huaj është përfshirë në raste të mëdha korrupsioni, ose shkelje të të drejtave të njeriut, atij dhe familjes së tij të ngushtë, i ndalohet hyrja në Amerikë.

Vangush Dako, bëhet kështu zyrtari i tretë nga Shqipëria që ndalohet të hyjë në Shtetet e Bashkuara së bashku me familjen. Para tij, e njëtja masë është marrë ndaj ish Prokurorit të Përgjithshëm Adritaik Llalla dhe ish deputetit socialist Tom Doshi.


Ligji që u ndalon hyrjen në ShBA të zyrtarëve të huaj, është një prej mjeteve që ka në dispozicion administrata amerikane për të luftuar korrupsionin dhe shkeljet e të drejtave të njeriut nga zyrtarë të huaj. Në ndryshim nga ligjet për dhënien e vizave, ku në rast refuzimi, vendimi është konfidencial, ligji që përcakton zyrtarët e huaj si persona jo të përshtatshëm për të hyrë në Amerikë, nuk është konfidencial dhe mund të bëhet publik.

Ky ligj i ka fillesat në vitin 2008, kur Kongresi, synoi të identifikojë dhe të shpallë të papërshtatshëm për të hyrë në Amerikë zyrtarë të huaj të përfshirë në afera korruptive për të shfrytëzuar burimet natyrore të vendeve të tyre.

Në vitin 2012, Kongresi e zgjeroi hapësirën e shtrirjes së këtij ndalimi, duke përfshirë në të termin “raste të mëdha korrupsioni” dhe sqaroi se njoftimi për individët përkatës mund të bëhej publik ose të mbetej privat.

Rasti i parë që Depaertamenti i Shtetit e përdori këtë ligj, ishte në shkurt të vitit 2018, kur ndaloi hyrjen në Shtetet e Bashkuara të ish Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë Adriatik Llalla.

Në njoftimet e Departamentit të Shtetit nuk përmendet se për cilat raste specifike bëhet fjalë për këta zyrtarë.

Në të kaluarën Zëri i Amerikës ka nxjerrë në pah, rastin e hetimeve të Prokurorisë për kryetarin e bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, i cili rezulton të ketë mbajtur kontakte me anëtarët e një grupi të krimit të organizuar, i njohur si grupi i “Avdylajve” që dyshohet të jetë përfshirë në blerje votash në ndihmë të zotit Dako gjatë zgjedhjeve parlamentare të 2017s.

Bisedat e përgjuara telefonike sipas dosjes së prokurorisë tregojnë gjithashtu një marrëdhënie të shtrirë në kohë mes Dakos dhe vëllezërve Avdyli, kontributi i të cilëve në zgjedhje duket se është shpërblyer me qasje pranë disa institucioneve kyçe në Durrës. Zoti Dako i ka mohuar akuzat.

Gjatë një debati në parlament për këtë rast, kryeministri Rama i doli në mbrojtje zotit Dako, duke i quajtur përgjimet “llafe kafenesh”, ndonëse më pas nuk e kandidoi më zotin Dako për zgjedhjet e fundit lokale të 30 qershorit, por pa njohur përgjegjësi për rastin e tij.

Nga 2017 deri më sot janë rreth 170 zyrtarë dhe ish zyrtarë shqiptarë të cilëve ambasada në Tiranë u ka refuzuar vizat. Emrat e tyre nuk janë bërë të njohur publikisht./VoA/