LAJMI I FUNDIT:

Arta Tahiri: “Rruga drejt” arenë e hapur që partitë shpesh i shmangen

Arta Tahiri: “Rruga drejt” arenë e hapur që partitë shpesh i shmangen

Arta Tahiri njihet si redaktore dhe moderatore e emisionit “Rruga drejt” në Alsat-M dhe për lexuesit e Telegrafit vjen në një intervistë ku flet për rrugëtimin e saj në botën e gazetarisë, emisionin si dhe jetën familjare.

Intervistoi: Valon Osmani

Si lindi dëshira për tu marrë me gazetari?
Në të vërtetë dëshira për tu marrë me profesionin e gazetarisë nuk ka lindur, por nëse mund të them më shumë më është imponuar, edhe atë krejt rastësisht. Në këtë profesion jam gati se 24 vite të plota, që do të thotë se me gazetarinë jam përballur që në moshën e fëmijërisë, praktikisht nga mosha 13 vjeçe. Kam filluar ditën e parë në gazetari në Tv Festa, që drejtohet nga daja im, një njeri që i ka dhënë shumë medias në Kumanovë, Nexhat Aqifi. Për shkak se në një ditë pune televizioni ka pasur nevojë për folëse, më kanë thirrur për provë dhe nga ajo ditë nuk jam shkëputur nga gazetaria, e cila është jeta ime pasi unë jetoj me profesionin.


Arta Tahiri në zyrat e DieZeit Online

Sa ka qenë e vështirë rruga e suksesit për ju, si një grua në botën e mediave?
Në këtë profesion që nga nisja nuk i kam hetuar barrierat gjinore dhe fakti që gjithmonë kam pasur hapësirën e nevojshme në media dëshmon se nuk kam pasur kufizime në aspektin e përkatësisë gjinore. Natyrisht se edhe qasja ime sa i përket profesionit të gazetarisë është se nuk ka burra dhe gra në profesion, por ka vetëm gazetarë dhe gazetare të mirë apo të këqij, profesionistë dhe joprofesionistë, etik dhe joetik!

Arta Tahiri në debatin me kandidatët për kryetar shteti

Sa është profesioni i gazetares sakrifikues për jetën personale?
Gazetaria nuk është profesion administrativ, nuk është profesion me orar të fiksuar pune, është një profesion në të cilin kur përfundon orari i punës në një ditë të caktuar, fillon orari i ri i punës. Ngjashëm si jeta! Nuk ka shumë hapësirë për pushim, punohet në ditët e fundjavës apo në ditë festash, në ditët kur është Viti i ri apo kur të gjithë janë në pushim. Punohet me stres, nën presionin e kohës, nën “presionin” pozitiv të publikut për me qenë më profesional, më shumë në interes të publikut dhe për të bërë punë në interes publik. Përveç emisionit “Rruga drejt”, pra debatit javor më të shikuar në hapësirën mediatike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, në katër ditë tjera jam e angazhuar në pozitën e redaktores së lajmeve. E gjithë gjithsesi se kërkon sakrifica personale, ndërsa përparësia ime është që profesioni bazik i bashkëshortit tim, Sefer Tahiri është pikërisht gazetaria dhe kuptohemi lehtë!

Arta Tahiri dhe burri i saj, profesori dhe analisti Sefer Tahiri

Si i shihni gjeneratat e reja të gazetarëve?
Ata me të cilët kam punuar dhe me të cilët punoj, e dinë se jam mbështetësi i tyre, jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra, ndërsa shpesh dua të jem “zëdhënës” i tyre për kushte më të mira pune, por ka një fakt që gjithnjë e më tepër gjeneratat e reja i shmangen këtij profesioni, pasi objektivisht nuk vlerësohet sa duhet në shoqërinë tonë, nuk është i paguar dhe rrjedhimisht edhe nuk është motivues për të rinjtë. Apeloj tek ata që kanë talent, ta mbindërtojnë atë pasi vetëm me talent nuk bëhesh profesionist.

Arta Tahiri në zyrat e gazetës DieZeit

Njiheni si gazetare dhe moderatore e emisionit “Rruga Drejt” në Alsat, sa është e vështirë të merresh me politikanët?
Relativisht e vështirë nëse mund të them shkurt. Në një ambient politik, me shumë përplasje, me kriza të vazhdueshme politike, por edhe ndëretnike, gjithsesi se nuk është aspak e lehtë të merresh me aktulitetet politike dhe trajtimin e tyre në nivel debati thelbësor neutral dhe parimor.

Arta Tahiri në studio

A kanë politikanët tanë teka të veçanta kur ftohet në emisione?
Gjithmonë politika ka dëshirë të ketë kontroll dhe ndikim ndaj medias dhe nuk ka parti politike, ndoshta edhe më liberalet që nuk do të kishte pasur dëshirë të prezantohet me imazh pozitiv në media. Por, e them me përgjegjësi, se falë kryeredaktorit të Alsat, Admir Qose si redaktore dhe drejtuese e debatit, jam plotësisht e lirë në përzgjedhjen e temave dhe të ftuarve. Shpesh partitë politike i shmangen ballafaqimit me parti respektive. Kështu ndodhte kur BDI-ja nuk dëshironte të përballet me LR PDSH (tani ASH) dhe Lëvizjen BESA, duke i konsideruar si parti që nuk kanë legjitimitet politik, meqë nuk kishin deputetë dhe si zakonisht “faji” ishte te “Rruga drejt” pse nuk mundëson përballje mes tyre! Si mund të sigurosh përballje në një situatë të tillë? Shpesh mund të ndodh që partitë, kur janë në pushtet, duke dashur të shmangen nga debati politik gjejnë arsyetime të ndryshme për mospjesëmarrje, ndërsa si argument shpesh përdorin emrat e pjesëmarrësve. Dramë e vërtetë dhe për mua është stres kur partitë politike duhet të caktojnë përfaqësuesit e tyre në debatin “Rruga drejt”, pasi secila pret që partia kundërshtare të caktojë e para emrin e zyrtarit partiak, prandaj shpesh një ditë pune është aq e gjatë sa edhe zgjat vetë dita. Dua të falënderoj analistët dhe ekspertët, të cilët me pjesëmarrjen e tyre begatojnë përmbajtjen e debatit. U jam shumë mirënjohës, sepse ata i japin vlerë debatit jo vetëm në Alsat, por në tërë hapësirën publike shqiptare.

Sa jeni e kënaqur me arritjet profesionale dhe çfarë do të ju sugjeroje gazetarëve të rinj?
Karriera ime profesionale gjithmonë ka përjetuar progres të madh dhe mund të them se megjithë energjinë e madhe që kam dhënë në profesion jam tejet e kënaqur me arritjet e mia. Gazetarëve të rinj do t’u sugjeroja që karrierën e tyre ta ndërtojnë sipas sistemit shkallë- shkallë dhe ajo që është më e rëndësishme të jenë më të guximshëm në punën e tyre. E fundit, por shumë substanciale, jo vetëm të rinjtë, por të gjithë që punojnë në media duhet t’i kushtojnë më shumë rëndësi përdorimit të shqipes standarde.
Emisioni “Rruga drejt” do të vazhdojë edhe më tutje të mbetet një arenë e hapur për politikanët dhe analistët politik, duke i shërbyer kështu opinionit publik dhe demokracisë.

Në trend Lajme

Më shumë
Rasti i 2.1 milionëshit, zëvendësministri Sallahu: 500 mijë euro janë në një bankë në Turqi, po punojmë me autoritetet atje që t’i kthehen Thesarit të Shtetit

Rasti i 2.1 milionëshit, zëvendësministri Sallahu: 500 mijë euro janë në një bankë në Turqi, po punojmë me autoritetet atje që t’i kthehen Thesarit të Shtetit

Lajme
ROSCAP: Doracakët për edukimin seksual janë inicuar dhe zhvilluar gjatë kohës kur në pushtet ishin PDK, LDK dhe LVV

ROSCAP: Doracakët për edukimin seksual janë inicuar dhe zhvilluar gjatë kohës kur në pushtet ishin PDK, LDK dhe LVV

Lajme
Institucionet e Kosovës të mbyllura për shtetasen e Taxhikistanit që përballet me dëbim

Institucionet e Kosovës të mbyllura për shtetasen e Taxhikistanit që përballet me dëbim

Lajme
Meta nga burgu: Njerëz të SPAK më kanë sugjeruar të arratisem, s’ka akuzë zyrtare ndaj meje

Meta nga burgu: Njerëz të SPAK më kanë sugjeruar të arratisem, s’ka akuzë zyrtare ndaj meje

Lajme
I jepet lamtumira e fundit dy të rinjve që u vranë në Klinë, shokët veshin bluzët me fotografitë e tyre

I jepet lamtumira e fundit dy të rinjve që u vranë në Klinë, shokët veshin bluzët me fotografitë e tyre

Lajme
Ndërron jetë nipi i Adem Grabovcit

Ndërron jetë nipi i Adem Grabovcit

Kronika e Zezë
Kalo në kategori