LAJMI I FUNDIT:

Shtëpia muze që tregon krimet e Serbisë në Kosovës (Video)

Shtëpia muze që tregon krimet e Serbisë në Kosovës (Video)

Gjokë Sokoli, qe 20 vjet mbanë një muze në shtëpinë e tij, si dëshmi për gjenocidin serb. Në kohën e bombardimeve të NATO-s, ai filloi të mbledhë gjëra që i gjente në shtëpinë e tij dhe vende të tjera ku serbët kishin kryer krime. Sipas tij, ky është një arkiv që dëshmon ato të bëma.

Gjokë Sokolit në luftë ia kanë vrarë tre vëllezërit dhe motrën e vetme. Ai ka edhe familjarë të tjerë të vrarë, nipa e të afërm të tjerë, fotografitë e të cilëve qëndrojnë në muzeun që ai e ka krijuar në shtëpinë e tij në Mejë të Gjakovës.

“Në shpirtin tim mendoj që 100 libra i kam, sepse kam përjetuar shumë, e kam përjetuar grykën e automatikut të kthyer nga unë, Zoti më ka shpëtuar, dhe si ka filluar bombardimet e NATO-s unë menjëherë kam qenë në aksion me gazetarë gjermanë, italianë, anglezë, me gazetarë të Kosovës, kemi mbledh gjëra, fotografi e të tjera, jam munduar dhe e kam parë të nevojshme ta bëj një muze”, tregon Sokoli për KosovaPress.


Ai thotë se ka dashur që të mbesin si një si një arkivë, pasi që sipas tij shumë ngjarje e gjëra të popullit shqiptar janë harruar.

“Me ruajt si një arkiv, sepse ne jemi bukur të harrueshëm, i vlerësojmë gjërat më shumë shkojmë nga leku sesa me lënë diçka prapa, e unë e kam një arkiv. E kam bërë librin për masakrën e Mejës, e kam bërë një libër tjetër, prej vitit 1900 i kam marrë masakrat që janë bërë në Evropë dhe Ballkan dhe Kosovë, më ka dalë një libër i mrekullueshëm që është për studentë. Kjo më ka frymëzuar më tepër, i kam bashkuar këtu mirëpo e shoh se edhe sot e kësaj dite, numri i të vrarëve në Kosovë nuk dihet, kjo është një e metë e madhe”, thotë ai.

Edhe Gjokë Sokoli, si shumë familjarë të të vrarëve dhe të zhdukurve, është i zhgënjyer me institucionet e Kosovës.

Ai thotë se është e rëndë për familjarët që të shohin si lëvizin të lirë ata që 2 dekada më parë vranë e masakruan shqiptarët në Kosovë.

Sipas tij, duhet të formohet një komision i cili do të arrinte të ngriste akuzat për kriminelët e Serbisë.

“Jemi të zhgënjyer me çdo gjë, kam pas rast për këto viktimat e mija kam bisedu, thonë ti si familjar akuzo Serbinë. Po ku shkon ajo, a kemi shtet, për çka i kemi dhënë viktimat. Duhet me formu një komision shtetëror që i akuzon kriminelët. i kam emrat e kriminelëve, i kam mbiemrat, nuk ka kush, unë nuk kam mundësi. Shteti duhet me formu një komision që i akuzon këta vrasës, që sot janë të lirë në shtetin e Serbisë”, thotë ai.

Gjokë Sokoli, autor i dhjetëra librave, thotë se vazhdon të angazhohet në histori, dhe synon ta pasurojë këtë muze me gjëra që flasin për të kaluarën e shqiptarëve dhe përjetimet e rënda të tyre në luftë./kp/