LAJMI I FUNDIT:

S’ka normalizim të marrëdhënieve

S’ka normalizim të marrëdhënieve

Gjashtë vjet pas arritjes së Marrëveshjes së parë për Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), vlerëson se mungesa e zbatimit të plotë të kësaj marrëveshjeje nuk ka arritur të përmbushë pritshmëritë e qytetarëve.

Kjo marrëveshje, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe e nënshkruar nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë IvicaDaçiq, u ratifikua në Kuvendin e Kosovës më 27 qershor të vitit 2013 si marrëveshje ndërkombëtare. Kjo është e para dhe e vetmja marrëveshje e ratifikuar në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

E njëjta nuk është ratifikuar nga Kuvendi i Serbisë. Madje Gjykata Kushtetuese e Serbisë e kishte cilësuar Marrëveshjen e Brukselit si çështje politike dhe joligjore, andaj edhe kishte refuzuar shqyrtimin e kushtetutshmërisë së saj, shkruan Gazeta “Zëri”.


Marrëveshja “historike” ishte një tentativë e BE-së për zgjidhjen e problemeve midis dy shteteve, ndërsa 15 pikat e saj synonin rregullimin e çështjeve që ndërlidhen me Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe, integrimin e strukturave të sigurisë dhe atyre të drejtësisë, organizimin e zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore të Kosovës, energjinë, telekomunikacionin dhe rrugëtimet përkatëse evropiane.