LAJMI I FUNDIT:

Reçica: Do të jemi të pa kompromis ndaj atyre që nuk respektojnë të drejtat e punëtorëve

Reçica: Do të jemi të pa kompromis ndaj atyre që nuk respektojnë të drejtat e punëtorëve

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, ka deklaruar se do të jenë të pa kompromis ndaj të gjithë atyre që nuk respektojnë të drejtat e punëtorëve.

Këto komente, Reçica i ka bërë gjatë vizitës që e ka bërë në qendrën tregtare Elkos, ku ka inspektuar se sa respektohen të drejtat e punëtorëve dhe Ligji i Punës.

Ai tha se ka kërkuar edhe ndaj Inspektoratit të Punës që të jenë në krye të detyrës dhe të jenë të pa kompromis ndaj atyre që nuk respektojnë dispozitat ligjore.


“Po informohemi nga afër për kushtet e punës, për kushtet që kanë të bëjnë me respektimin e të drejtave të tyre. Natyrisht kjo vizitë e sotshme ka të bëjë me ngritjen e vetëdijësimit nga ana e punëdhënësve, por edhe nga ana e punëmarrësve që respektimi i të drejtave të punëtorëve është e drejtë e garantuar me ligj. Ne si Ministri në bashkëpunim me punëdhënësit po përpiqemi që t’i bashkërendojmë aktivitetet që Inspektorati i Punës, i cili është i thirrur për të monitoruar ligjin që ka të bëjë me sigurinë në punë, Ligjin që ka të bëjë me marrëdhëniet e punës, me të drejtën e punonjësve të zbatohet në tërësi. Ne kemi kërkuar nga Inspektorati që në të gjitha rastet ku hasen në moszbatueshmëri të këtyre dispozitave ligjore ne do të jemi të pa kompromis”, tha ai.

Lëndimet dhe vdekjet në vendin e punës gjatë vitit 2018-2019, punëtorët në mëshirën e fatit
Lexo po ashtu Lëndimet dhe vdekjet në vendin e punës gjatë vitit 2018-2019, punëtorët në mëshirën e fatit

Kreu i Ministrisë së Punës, u ka bërë thirrje të gjithë punëtorëve që të raportojnë shkeljet që u bëhen nga punëdhënësit.

“Ju bëjë ftesë të gjithë punëtorëve që duhet të bashkëpunojmë, sepse vetëm bashkëpunimi punëdhënës dhe punëmarrës me institucionet që kanë të bëjnë me monitorimin e dispozitave ligjore mund të na sjellin në një situatë ku të drejtat e punëtorëve të jenë më të avancuara”, tha ai.

Kurse, menaxheri në kompaninë Elkos, Petrit Selmanaj, ka thënë se mundohen që të respektojnë të drejtat e punëtorëve.

“Ne si kompani Elkos mundohemi dhe realisht ia kemi arritur qëllimit që mbi 95 për qind të Ligjit që është rreth kushteve të punëtorëve t’i zbatojmë në të gjitha aspektet, si në aspektin e pushimeve, pagesave, orarit të punës, sigurimeve shëndetësore e plot të tjera”, tha ai.

Reçica së bashku me Inspektorin e Punës, Basri Ibrahimi, kanë zhvilluar edhe biseda me punëtorët. /KP/Telegrafi/